Barcelona, në ankth për Balde, konfirmon dëmtimin, por jo kohën e rikuperimit

E shtuna solli një fitore të rëndësishme për Barcelonën në fushën e Leganés me rezultatin 0-1, por lajmet nuk janë aspak pozitive në aspektin e dëmtimeve.

Gjatë ndeshjes, mbrojtësi i majtë, Alejandro Balde, pësoi një dëmtim serioz, i cili mund ta mbajë larg fushave për një periudhë të gjatë.

Klubi blaugrana publikoi një njoftim zyrtar për gjendjen e lojtarit:

“Kontrollet e kryera mëngjesin e së dielës kanë konfirmuar një dëmtim në bicepsin femoral të këmbës së majtë të lojtarit të ekipit të parë, Alejandro Balde.

Rikthimi i tij në fushë do të varet nga ecuria e rehabilitimit.”

Balde u dëmtua drejt fundit të pjesës së parë në ndeshjen kundër Leganés, teksa u përpoq të ndalte një kundërsulm të vendasve.

Pas ndjesisë së shqetësimit muskulor, ai u zëvendësua menjëherë nga Gerard Martín.

Në këtë sezon, Balde ka qenë një nga pikat kyçe të formacionit të Hansi Flick, me 42 paraqitje në të gjitha kompeticionet, prej të cilave 37 si titullar.

Sigurisht, ai nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e kthimit në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve kundër Borussia Dortmundit, ku Barcelona ka një avantazh të mash pas fitores 4-0 në ndeshjen e parë.

Mbetet për t’u parë se sa ndeshje të tjera do të humbasë mbrojtësi i ri spanjoll.