Rama me të rinjtë në Durrës: Duam mbi 900 000 vota për Shqipërinë 2030, anëtare e BE-së

Kryeministri, njëherazi kryetar i PS, Edi Rama po zhvillon një takim me të rinjtë në Durrës. Drejtuesja Politike e PS në Durrës, Emiriana Sako çeli takimin, duke prezantuar kandidatët e PS në qytetin bregdetar.

“Të rinjtë janë pjesa më vitale e qarkut dhe tek të cilët kemi shumë arsye të besojmë dhe mendojmë se do të jenë aktivë më shumë se çdo herë tjetër në këto zgjedhje.

Këto zgjedhje janë me shumë gjasë zgjedhjet që do të vendosin se ku do të jetë Shqipëria në katër vitet e ardhshme”, tha Rama, duke nënvizuar se objektivi është anëtarësimi në BE.

“Gjërat kanë ardhur në këtë mënyrë dhe kanë ardhur sepse janë përputhur në të njëjtën kohë dëshira dhe fati ynë evropian dhe dëshira dhe fati i BE, që ndryshe nga deri pak kohë më parë sot jo vetëm e thotë, siç e ka thënë gjithnjë, që e ardhmja e Ballkanit është në BE, por dhe e kërkon me këmbëngulje që të mbyllim negociatat brenda vitit 2027 dhe më pas të shkojmë në parlamentet e vendeve anëtare dhe në harkun e dy viteve të përfundojnë dhe që Shqipëria e vitit 2030 të jetë vend anëtar i BE”, tha Rama.

Kryeministri Rama tha se më 11 maj PS kërkon mbi 900 mijë vota.