Blushi: Ulje drastike dhe heqje taksash e tarifash, si dhe ulje të kostos së jetesës dhe rritje të mirëqënies së qytetarëve

Sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi teksa prezantoi kandidatin, Adriatik Hoxha në Durrës u shpreh se do ketë ulje drastike dhe heqje taksash e tarifash, si dhe ulje të kostos së jetesës dhe rritje të mirëqënies së qytetarëve.

Fjala e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Z. Tedi Blushi.

Të dashur qytetarë të Durrësit,
I nderuar deputet i ardhshëm i qarkut të Durrësit, Adriatik Hoxha.
I nderuar President i Partisë së Lirisë, Z. Meta!
Të nderuar anëtarë dhe simpatizantë, qëndrestarë të ekipit tonë të mrekullueshëm në qarkun e Durrësit.

Është kënaqësi e veçantë sot të shprehim së bashku përkrahjen tonë më të fuqishme për kandidatin tonë fitues, për deputetin e ardhshëm të Durrësit, Z.Adriatik Hoxha, “Mjeshtër i Madh” i sportit, rekordmen dhe kampion i atletikës, intelektual dhe jurist me përvojë, i cili më 11 Maj me votat tuaja plebishitare do të jetë një zë shumë i fuqishëm në Kuvendin e ardhshëm, jo vetëm për sportin por në radhë të parë për të rinjtë e mrekullueshëm të këtij qarku.

Përfaqësues i denjë i vlerave të qytetarisë durrsake, si dhe një mbrojtës i vendosur i Shtetit Ligjor.
Në 12 vite, Edi Rama bëri gjithcka për t’ja dorëzuar dyrrësin krimit dhe zgjedhjet e fundit provuan botërisht se krimi në Durrës cakton edhe kandidatët për deputet.

Vet lista e këtij qarku e rëzuar është dëshmia se si Edi Rama, nëpërmjet krimit, jo vetëm ka sunduar në këtë qytet, simbol të kulturës, të artit, të trashigimisë së pasur historike dhe arkeologjike, por edhe se si deputetët nuk ishin përfaqësues të qytetarëve, por përfaqësues të interesave të krimit dhe të trafiqeve.

Durrësi ka qenë, në këto 12 vite, një nga qytetet më të goditura nga keqqeverisja, më të vjedhura, në mënyrë të përbindshme, siç dëshmoi edhe ish-numri dy i qeverisë, Arben Ahmetaj, i cili faktoi, se si dëmet e tërmetit tragjik të vitit 2019, i kanë shkaktuar një dëm financiar disa herë më të vogël se sa dëmet që I kanë shkaktuar Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, banda grabitqare e “Rilindjes”.

Por edhe pse jemi 6 vite pas tërmetit tragjik, që la pas me dhjetëra viktima dhe me mijëra banesa të shkatërruara, edhe sot, ende mijëra familje janë pa strehë, ndërsa mbi 1 miliard euro janë zhdukur pa llogari dhe pa dhënë askush arsyen se ku ato përfunduan.

Porti i Durrësit, është gjithashtu një tjetër aferë e përbindshme korruptive e kësaj Qeverie dhe një nga barrët më të mëdha financiare që Edi Rama ka vendosur ndonjëherë jo vetëm mbi mbi qytetarët e Durrësit, por mbi të gjithë shqiptarët.
Por, porti nuk është e vetmja aferë, të mos harrojmë:

* Ekoparku në Spitallë: Një aferë ku familjarët e Edi Ramës, pa asnjë procedurë konkurrimi, përfituan 11 milionë euro.
* Bashkia Durrës paguan sot mbi 40 euro/ton për transportin e mbetjeve te inceneratori fantazëm i Tiranës, një objekt që jo vetëm nuk ekziston, por që këto 10 vite ka gllabëruar jo vetëm taksat e qytetarëve të Tiranës, por edhe taksat tuaja, të një bashkie që nuk ka asnjë lidhje me këtë proces.

* Dua të theksoj gjithashtu, se Veliera: Një projekt korruptiv në zemër të qytetit tuaj, i nisur nga Vangjush Dako, ka përpirë deri tani me qindra milionë lekë, por ende pas 10 vitesh, nuk ka përfunduar.
???? Gjykata e Apelit dhe ajo Administrative, në këtë bashki, janë mbyllur, duke i detyruar qytetarët e Durrësit të udhëtojnë drejt Tiranës për të kërkuar drejtësi.
???? Kadastra e qytetit është zhvendosur, duke e kthyer pronësinë në një instrument abuzimi.
???? Sot në Durrës nuk ka asnjë fushë sportive publike falas për fëmijët dhe sporti është lënë në harresë, rinia ka mbetur pa alternativa, dhe krimi është rritur, sepse qëllimi i “Rilindjes” është pikërisht promovimi i vesit dhe jo i sportit.
???? Gjithashtu ju e dini shumë mirë se si nafta është sot më e shtrenjtë në Durrës sesa në rajon, edhe pse ajo vjen nga ky qytet dhe kjo pikërisht për shkak të taksave të larta, të korrupsionit dhe kontrabandës me licencë qeveritare.
“Aleanca për Shqipërinë Madhështore” propozon një model të ri ekonomik:
Ulje drastike dhe heqje taksash dhe tarifash , që rëndojnë mbi ekonominë familjare, si dhe ulje të kostos së jetesës dhe rritje të mirëqënies së qytetarëve.
Ne angazhohemi për krijimin e zonave të lira ekonomike “Durrësi 1” dhe “Durrësi 2”, sipas modelit të suksesshëm Maqedonas,
Për mbështetje për bujqësinë dhe industrinë ushqimore, për të nxitur në këtë mënyrë punësimin dhe prodhimin vendas.
Ky program ka në qendër qytetarin dhe rritjen e mirëqenies së tij, si dhe biznesin dhe nxitjen e prodhimit vendas duke i dhënë fund narkoekonomisë së mbështetur mbi ndërtimin e kullave apo resorteve luksoze, tek pastrimin e parave të pista, të drogës dhe korrupsionit, që ja kanë bërë absolutisht të pamundur shqiptarëve dhe durrsakëve të thjeshtë blerjen e një apartamenti me të ardhurat modeste që ata marrin si dhe faktin tragjik se si varfëria është ulur këmbëkryq edhe në këtë qark, i dyti për nga rëndësia në rang Republike.
Shqipëria fuqi prodhuese dhe eksportuese në rajon, është një nga prioritetet më madhore të Partisë së Lirisë, por edhe pjesë e këtij programi të shkëlqyer “ PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, I cili do të realizohet:

✅ Duke ulur së pari shkallën e ndryshme tatimore.
✅ Duke vendosur taksën e sheshtë 10% mbi kapitalin, mbi të ardhurat nga puna.

✅ Duke vendosur taksën e sheshtë 10% mbi të ardhurat jo nga paga.
✅ Tavani vjetor për tatim fitimin zero për biznesin e vogël.
✅ Duke vendosur TVSH- në 15%.
✅ Duke vendosur taksën e ndikimit në infrastrukturë në 2% nga 8% që është aktualisht.
Të mos harrojmë se shkaku themelor i çmimeve stratosferike të ndërtimeve janë pikërisht këto taksa abuzive për metër katror, që minimumi janë 10-fishuar nga taksat e mëparshme apo kur “ Rilindja” erdhi në pushtet, e gjithë kjo faturë sot ju shkon qytetarëve dhe ju pamundëson atyre për të blerë një apartament.

✅ Gjithashtu, taksa e strehimit social do të jetë vetëm 3%.

✅ Ndërsa tarifa e lejes së zhvillimit mbi vlerën e investimit do të shfuqizohet.
✅ Gjithashtu tarifa e rivlerësimit të pronës do ulet nga 5% në 1%.
✅ Ndërsa energjia elektrike nga 18-24 lekë që është sot, do shitet në 7 lekë.

Dua gjithashtu t’ju bëj me dije se ky program i shkëlqyer që ka në fokus qytetarin dhe uljen e kostos së tij të jetesës, një vëmëndje të vecantë i ka kushtuar edhe heqjes së taksës së karburantit, e cila sot rëndon mbi xhepat tuaj dhe që nesër, pra pas 11 Majit, me ardhjen në pushtet të aleancës, “ PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, cdo pikë karburanti me pakicë do të ketë një cmim jo më pak se 10% në raport me të gjitha vendet e tjera fqinje.

Dhe meqënëse jemi në qytetin simbol të turizmit, ky program parashikon se edhe punonjësit sezonalë të turizmit do të paguhen me një rrogë fikse në mënyrë që të mos kemi më atë pagesë mizerabël, që sot të rinjtë dhe të rejat që detyrohen të bëjnë nga 2 apo 3 punë për të paguar tarifat e larta jo vetëm të studimit, por edhe të qerasë apo të kostove të ndryshme të jetesës së tyre, sot detyrohen në fakt që të përballojnë këtë nivel të cmendur të jetesës..
✅ Gjithashtu cdo shqiptar që vjen për të investuar në vend, për 5 vite do ti hiqen taksat kudo që ai do të investojë, ndërsa për investimet në zonat malore, do të përjashtohen për 8 vite nga taksat.

Pra ky program i shkëlqyer, i cili garanton heqjen e taksave dhe tarifave abuzive, garanton uljen e taksave, garanton rritjen e mirëqënies së qytetarit, jam i bindur se së bashku me deputetin e ardhshëm, Adriatik Hoxha, do të votohet masivisht në 11 Maj.

Ne në 100 ditët e para, do të vendosim gjithashtu një minimum jetik, 200 euro për cdo shqiptar, si dhe do të rritim me 20% pensionet.

Rroga minimale do të jetë 500 euro, ndërsa rroga mesatare 1200 euro, në mënyrë që të mos kemi qytetarë të cilët mezi shtyjnë ditët dhe jo më muajin për të blerë ushqime e jo më pastaj për të paguar faturat e kripura dhe abuzive të energjisë elektrike.

Ndaj me votat plebishitare, ju ftoj të gjithëve ta kthejmë 11 Majin në një Fitore Madhështore për Durrësin madhështor, për Durrësin fuqi prodhuese dhe eksportuese.
Me votën tuaj për Nr.1 – koalicionin dhe për kandidatin tonë të shkëlqyer, Adriatik Hoxha, t’i rikthejmë Durrësit dinjitetin dhe shkëlqimin që ai meriton.
Fitore!
Faleminderit!