Kryeprokurori Çela: Vlerësim në kohë reale ndaj çdo sinjalizimi për shkelje zgjedhore
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela u shpreh sot se të gjitha institucionet e linjës, prokurorët e posaçëm, policia gjyqësore kanë kapacitet e duhura dhe angazhimin maksimal ndërinstitucional, për të arritur rezultate në parandalimin dhe marrjen e masave për krimet zgjedhore.
I pranishëm në tryezën teknike për forcimin e rolit të prokurorëve në luftën kundër krimeve zgjedhore, organizuar në Tiranë nga OSBE dhe Prokuroria e Përgjithshme, Çela vuri në dukje një sërë masash që janë marrë me synim rritjen e eficiencës për bashkëpunimin mes institucioneve sa i takon krimeve zgjedhore.
Falë bashkëpunimit me partnerët tanë, tha Çela, tashmë kemi arritur në një fazë tjetër të rëndësishme që lidhet me përgatitjen e institucionit të Prokurorisë në drejtim të procesit zgjedhor.
Ai vlerësoi angazhimin e shoqërisë civile në bashkëpunimin me institucionet në luftën kundër krimeve zgjedhore
“E rëndësishme sjellja në një tryezë e shoqërisë civile, që ka spikatur me rolin e saj në fushën zgjedhore dhe krimin zgjedhor dhe të atyre që janë në terren si prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore. Në këtë kontekst shkëmbimi i eksperiencave, diskutimi për prioritetet në hetimin e krimeve zgjedhore, por dhe njohja e prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore me fenomenet për parregullsitë që vihen re gjatë procesit zgjedhor, vlerësimin e tyre në një pjesë të rasteve si shkelje të ligjit që përbën vepër penale, do të jetë risi jo vetëm në ndërgjegjësimin e prokurorëve dhe oficerëve të policisë për atë që ndodh gjatë procesit zgjedhor por do t’i bëjë ata edhe më të ndjeshëm për të kuptuar rëndësinë e rolit tonë gjatë këtij procesi”, tha Çela.
“Ajo që ne synojmë është transmetimi i shpejtë i informacionit, vlerësimi në kohë reale ndaj çdo sinjalizimi për çdo shkelje që bëjnë vepër penale”, tha Çela.
Çela tha së, “për të adresuar këto shqetësime që janë ngritur jo pak herë gjatë viteve, në fund të vitit të kaluar bashkë me drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, vlerësuam të koordinonim masat institucionale që lidhen me procesin zgjedhor, për të bërë një mbulim tërësor të gjithë proceseve kriminale që lidhen me procesin zgjedhor”.
Sipas tij, Strategjia e Prokurorisë së Posaçme për krimet zgjedhore u pasua me një udhëzim të përgjithshëm nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, që lidhet me një organizim specifik i pari që është bërë në raport me procesin zgjedhor, dhe që ka të bëjë me krijimin e seksioneve të posaçme të përkohshme për hetimin e krimeve zgjedhor.
“Për krijimin e këtyre seksioneve ishte e nevojshme marrëveshja me Policinë dhe KQZ për një hetim të shpejtë dhe efikas të krimit zgjedhor, ndaj ishte e rëndësishme marrëveshja me policinë që do t’i mbështesë seksionet tona me oficerë të Policisë Gjyqësore”, u shpreh Çela.
Gjithashtu vijoi ai, një pikë tjetër kulmore e përgatitjeve, ishte protokollo i koordinimit që u arrit mes Prokurorisë së Përgjithshme KQZ dhe Prokurorisë së Posaçme, për të siguruar një komunikim më të shpejtë ndërinstitucional, çka mundëson që raportimet nga KQZ të filtrohen cilësisht dhe të adresohet në prokuroritë kompetente dhe procesimi të jetë i menjëhershëm.
Për këtë qëllim ne kemi vendosur që pranë KQZ, të ketë përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme, Policisë Gjyqësore, Prokurorisë së Posaçme që çdo lloj informacioni për shkeljet zgjedhore të përcillet në prokuroritë kompetente.
Ai apeloi se ka nevojë për një qasje aktive për hetime të shpejta, intensive gjithëpërfshirëse dhe në bashkëpunim me të gjitha institucionet e tjera ligje zbatuese.


