"Për narkoshtetin po bien kambanat" - Berisha: Narkodiktatura mori goditjen më të rëndë në dy tempujt e demokracisë në Europë

Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi sot se narkodiktatura mori goditjen më të rëndë në dy tempujt e demokracisë në Europë!

Por tha ai, lidhur me keto ngjarje, Berisha tha se mediat e pushtetit i censuruan këto zhvillime historike.

FJALA E BERISHES

Kjo javë ishte e paprecedentë në 34 vite udhëtim të PD-së.

Këtë javë, narkodiktatura e Shqipërisë, e Edi Ramës, mori goditjen më të rëndë në tempujt e demokracisë evropiane me dy seancat dëgjimore në dy tempujt më të mëdhenj të demokracisë në Europë, të parlamentarizmit në Europë.

Kurrë në 34 vite nuk ka ndodhur asnjëherë dhe për asnjë vend që në një javë të mbahen dy seanca të një rëndësie të veçantë, të kushtuar të njëjtit vend, në Këshillin e Europës, në grupet parlamentare të PPE dhe grupin parlamentar të europianëve konservatorë, dhe dje në një seancë tjetër kushtuar po Shqipërisë, kushtuar po të njëjtave problemeve, në Komisionin e Jashtëm dhe të Sigurisë të Parlamentit Europian.

Këto zhvillime madhore në historinë e Shqipërisë u censuruan në mënyrë më të papërgjegjshme nga mediat dhe zyrat e qeverisë.

Por të dashur qytetarë dhe qytetare, këto zhvillime të pashembullta për një vend, në një hark kohor treditor, dëshmojnë interesin e madh dhe absolut të këtyre institucioneve kryesore të lirive, të drejtave njerëzore, zgjedhjeve të lira dhe sigurisë në Europë dhe në BE.

Këtyre institucioneve kryesore të parlamentarizmit.

Për narkoshtetin po bien kambanat. Kjo është e vërteta e këtyre sesioneve të jashtëzakonshme.

E vërteta është se nuk ka ndodhur kurrë në historinë 34-vjeçare që këto institucione të kenë në axhendën e tyre Shqipërinë, problematikat e saj madhore, zgjedhjet e dhunuara sistematikisht, krimin e organizuar që ka kapur majën e shtetit, terrorin politik dhe shtypjen e opozitës.

Nuk ka veçse një mirënjohje të pakufishme ndaj drejtuesve të këtyre institucioneve, që përparësuan në seanca të veçanta, jashtë programit të parashikuar, problemet madhore aktuale të Shqipërisë.

Unë u informova ju lidhur me seancat që u zhvilluan në grupet parlamentare të qendrës së djathtë dhe të djathtës konservatore në Këshillin e Europës. Takimin që zhvillova me presidentin e Asamblesë Parlamentare të KiE, zotin Rusopulos, takimin me delegacionet e disa vendeve anëtare.

Por dje, në Parlamentin Europian, në institucionin më të fuqishëm vendimmarrës të Europës, në institucionin më të fuqishëm ligjbërës të Europës, në komisionin më të rëndësishëm të këtij institucioni, atë për punët e jashtme dhe sigurinë, u zhvillua një seancë, e cila është e llojit të vet shumë e rrallë.

Një seancë e tillë u zhvillua për Shqipërinë pas përdorimit të Dushkut për dhunimin e zgjedhjeve në vitin 2002 dhe konkludoi me një rezolutë historike për Shqipërinë.

Europa është e vendosur që Shqipëria të bëjë zgjedhje të lira.

U them shqiptarëve me bindjen më të thellë, Europa është e vendosur t’i japë atë që meriton të gjithë atyre që kërkojnë t’i privojnë shqiptarët nga e drejta e votës së lirë dhe tentojnë t’u kontrollojnë atyre vullnetin dhe ky është një ogur i bardhë shumë për çdo shqiptar.

Por ky është ogur i bardhë në veçanti për opozitën shqiptare, e cila ishte e pranishme, paraqiti me vërtetësi të madhe të vërtetat lakuriq të realitetit të narkoshtetit të Edi Ramës.

Dje në seancën kushtuar Shqipërisë, në periudhën parazgjedhore, përjashtim në llojin e vet, ndoshta e pazhvilluar ndonjëherë për zgjedhjet në ndonjë vend, por me vullnetin më të mirë që shqiptarët të votojnë të lirë.

Pati debate të gjera, pati debate aktive, në të cilat u denoncuan dhe u shpreh shqetësimi i madh para së gjithash për zgjedhjet.

U shpreh shqetësimi më i madh për industrinë e blerjes së votës të Edi Ramës.

U shpreh shqetësimi më i madh dhe u denoncuan pjesëmarrja aktive e krimit të organizuar në krah të Edi Ramës.

U denoncua manipulimi i madh me listat, por edhe angazhimi i baronëve të drogës dhe krimit për të deformuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë.