Tregjet e aksioneve në BM rimëkëmben pas pauzës 90-ditore të tarifave të Trump

Tregjet e aksioneve të Britanisë së Madhe kanë filluar të rimëkëmben pasi presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi dje në mbrëmje një pauzë 90-ditore të tarifave të tij gjithëpërfshirëse – megjithëse ministrat këmbëngulën se do të qëndronin të kujdesshëm përballë paqëndrueshmërisë.

“FTSE 100” u rrit me më shumë se 6% pasi tregjet e aksioneve u hapën sot në Londër.

Kjo pasoi një rritje të konsiderueshme për tregjet në SHBA dhe Azi, pasi presidenti i SHBA-së, Trump tha se do të vononte tarifat për shumicën e vendeve për 90 ditë – ndërsa do të rriste normën e taksave për importet kineze në 125%.

Mes besimit në rritje të tregut, sekretarja e Shtetit për Departamentin e Brendshëm, Yvette Cooper bëri thirrje për kujdes për të shmangur rrezikun e mundshëm.

“Ne po shohim ndryshime gjatë gjithë kohës. Ne po shohim një paqëndrueshmëri globale”, tha Cooper për “Sky News”.

“Ne po e shohim këtë në ekonomi, po e shohim edhe në çështjet e sigurisë, të mbrojtjes”, shtoi ajo.

“Ne i kemi bërë të qarta parimet dhe qasjen tonë. Ne duam të shohim një reduktim të barrierave tregtare dhe duam të negociojmë marrëveshje të mira që janë në interes të Britanisë së Madhe”, tha Cooper.

Ndërsa indeksi “FTSE 100” është rimëkëmbur pas rënies së tij në ditët e mëparshme, indeksi i aksioneve kryesore të BM-së është ende shumë më poshtë se sa ishte në ditët para hyrjes në fuqi të tarifave të Trump.

Pauza 90-ditore e tarifave të presidentit amerikan – nuk i ka eliminuar plotësisht taksat ndaj mallrave në SHBA – ndërsa të gjitha vendet pritet të paguajnë një taksë prej 10%, në vend të tarifave reciproke që administrata e Trump kishte përcaktuar, fillimisht.