Kryediplomati Iranian, Araqchi: Amerika ka pranuar bisedimet indirekte bërthamore
Ministri i Jashtëm Abbas Araqchi ka hedhur poshtë idenë e mbajtjes së negociatave të drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara për sa kohë që është në fuqi, fushata e “presionit maksimal” kundër Iranit, duke thënë se Uashingtoni ka pranuar të zhvillojë negociata indirekte.
Duke folur në një takim me elitat algjeriane dhe figura të medias në Algjer të martën, Araqchi tha se bisedimet dypalëshe duhet të zhvillohen në baza të barabarta, jo nën presion maksimal dhe kërcënime ushtarake.
“Për sa kohë që presioni dhe kërcënimet maksimale ekzistojnë, nuk ka terren për negociata të drejta dhe ne nuk do të zhvillojmë negociata të drejtpërdrejta”, tha ai.
Megjithatë, ai nxitoi të shtojë se rruga drejt diplomacisë nuk është e mbyllur dhe “ne kemi njoftuar se mund të negociojmë në mënyrë indirekte me Shtetet e Bashkuara”.
Herët të martën, Araqchi njoftoi përmes X se negociatat "indirekte" të nivelit të lartë, janë planifikuar të mbahen në Oman të shtunën midis Teheranit dhe Uashingtonit.
Më 7 mars, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se i kishte dërguar një letër Iranit, duke bërë thirrje për negociata bërthamore.
Teherani iu përgjigj letrës më vonë atë muaj, duke thënë se refuzon bisedimet e drejtpërdrejta me Uashingtonin për qasjen e tij kontradiktore dhe armiqësore, por mbetet i hapur për negociata indirekte.
Tensionet janë rritur mes dy vendeve javët e fundit, veçanërisht pasi Trump paralajmëroi se do të kishte "bombardime" kundër Iranit, nëse ai refuzonte të negocionte me Shtetet e Bashkuara.
Të hënën, presidenti amerikan kërcënoi edhe një herë se nëse bisedimet do të ishin të pasuksesshme, "Irani do të jetë në rrezik të madh".
Në takimin e tij të martën, Araqchi pohoi se Republika Islamike e Iranit nuk dëshiron luftë, por nëse është e nevojshme, "e di se si të mbrohet mirë".
"Të paktën amerikanët e dinë shumë mirë se deri ku mund të arrijë fuqia mbrojtëse e Republikës Islamike të Iranit," tha ai.
Ai gjithashtu e bëri të qartë se Irani nuk kërkon armë bërthamore dhe çdo pretendim ndryshe është "i pabazë".
“Ne kemi besim se programi ynë bërthamor është paqësor dhe jemi të gatshëm të qetësojmë çdo shqetësim në këtë drejtim, përmes diplomacisë”, shtoi ministri i Jashtëm.
