OpenAI padit Elon Musk për fushatat publike dhe pretendimeve “të rreme”
OpenAI ka paditur Elon Musk, duke e akuzuar për përpjekje të qëllimshme për të dëmtuar reputacionin dhe funksionimin e kompanisë, përmes fushatave publike dhe pretendimeve të rreme. Ky veprim vjen si kundërpërgjigje ndaj padisë së mëparshme të Musk, i cili e akuzoi OpenAI për devijim nga misioni fillestar të zhvillimit të AI për të mirën e njerëzimit.
Kompania e inteligjencës artificiale OpenAI ka ngritur një kundërpadi ndaj Elon Musk duke e akuzuar për sjellje të përsëritur ngacmuese dhe veprime të padrejta që synojnë dëmtimin e reputacionit dhe funksionimit të kompanisë.
Më herët Musk paditi OpenAI dhe CEO-n e saj Sam Altman, për largim nga misioni i themelimit të kompanisë – zhvillimin e AI për të mirën e njerëzimit dhe jo për përfitim koorporatash.
OpenAI dhe Altman i kanë mohuar këto pretendime, duke deklaruar se qëndrimi i Musk është një përpjekje për të ngadalësuar një konkurrent të drejtpërdrejtë.
Në dokumentet e paraqitura të mërkurën, në padinë e tyre, OpenAI kërkon që gjykata ta ndalojë Musk nga çdo sulm i mëtejshëm dhe ta mbajë përgjegjës për dëmet që ai ka shkaktuar.
Sipas OpenAI, Musk ka përdorur platformën e tij të mediave sociale, X, për të udhëhequr fushata kundër kompanisë para më shumë se 200 milionë ndjekësve, ka paraqitur kërkesa të pabazuara për të dhënat e brendshme të korporatës dhe ka bërë një ofertë të rreme për blerjen e OpenAI.
Musk, i cili bashkëthemeloi OpenAI në vitin 2015, u largua nga kompania disa vite më vonë dhe themeloi firmën e tij të AI, xAI, në vitin 2023. Në fillim të këtij viti, një konsorcium i udhëhequr nga Musk bëri një ofertë prej 97.4 miliardë dollarësh për blerjen e OpenAI, e cila u refuzua.
Avokati i tij, Marc Toberoff, tha se bordi i OpenAI nuk e mori seriozisht ofertën dhe se kundërshtimi ndaj saj tregon se kompania po vepron në kundërshtim me interesin publik.
Padia aktuale përqendrohet rreth tranzicionit të OpenAI në një model fitimprurës, i cili, sipas kompanisë, është thelbësor për të tërhequr investime dhe për të konkurruar në tregun global të AI.
Në lojë janë rreth 40 miliardë dollarë në fonde që OpenAI po përpiqet të sigurojë deri në fund të vitit. Gjyqi mes dy palëve pritet të zhvillohet me juri në pranverën e vitit 2026.

