BE pezullon tarifat hakmarrëse ndaj importeve amerikane për 90 ditë

Bashkimi Evropian ka lënë në pritje për 90 ditë tarifat hakmarrëse ndaj importeve amerikane, njoftoi sot presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Ne duam t’i japim një shans negociatave. Nëse negociatat nuk janë të kënaqshme, kundërmasat tona do të fillojnë të zbatohen”, tha Von der Leyen.

“Puna përgatitore për kundërmasa të mëtejshme vazhdon. Siç e kam thënë më parë, të gjitha opsionet mbeten në tryezën e bisedimeve”, tha shefja e BE-së.

Vendet anëtare të BE ranë dakord dje për tarifat hakmarrëse prej 10% deri në 25% për importet amerikane – të cilat do të zbatoheshin nga java e ardhshme – në përgjigje të tarifave të SHBA-së ndaj importeve te çelikut dhe aluminit të vendosura rreth një muaj më parë.

Gjatë javëve të fundit, BE ka theksuar vazhdimisht vullnetin e saj për të arritur një zgjidhje të negociuar me Uashingtonin.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen përshëndeti sot njoftimin e presidentit amerikan, Donald Trump – për pezullimin e tarifave të reja reciproke për shumicën e vendeve për 90 ditë – për të lejuar negociatat.

“Është një hap i rëndësishëm drejt stabilizimit të ekonomisë globale”, tha Von der Leyen.

“Kushtet e qarta dhe të parashikueshme janë thelbësore për funksionimin e zinxhirëve të tregtisë dhe furnizimit”, shtoi ajo.

“Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar ndaj negociatave konstruktive me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me qëllimin e arritjes së marrëveshjes së tregtisë pa fërkime dhe reciprokisht të dobishme”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Von der Leyen.