Atentat në Fier? Po lëvizte me motor, gruaja qëllohet me armë nga babë e bir, shpallen në kërkim

Plagosën me armë zjarri një shtetase, identifikohen dhe shpallen në kërkim autorët (babë e bir).

Rreth orës 14:00, në vendin e quajtur "Mbikalimi i Dërmënasit", në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri shtetasja S. M.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 në afërsi të mbikalimit të Dërmënasit. Sipas burimeve zyrtare nga policia, dy persona dyshohet se i kanë zënë pritë shtetases Suzana Mërnica, e cila po udhëtonte me motor së bashku me djalin e saj. Ata kanë dalë përpara mjetit dhe kanë qëlluar në drejtim të saj me armë zjarri.

E plagosura, me profesion fermere, është transportuar me urgjencë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga hetimet paraprake dyshohet se autorë janë shtetasit A. C., 66 vjeç dhe A. C., 23 vjeç, banues në Dërmënas (babë e bir), të cilët janë shpallur në kërkim.

Janë ngritur menjëherë pika kontrolli në hyrje/daljet e qytetit të Fierit dhe në akset “Fier-Vlorë”, "Fier-Lushnjë". Gjithashtu, shërbimet e Policisë vijojnë krehjen e zonës, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e autorëve.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe në drejtimin e prokurorit, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe për fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim kapjen e autorëve.