Pensionet me Italinë, Rama: Gjithçka ka përfunduar, mbetet vetëm zbatimi administrativ nga shteti italian
Kryeministri Edi Rama sqaroi sot qytetarët shqiptarë në Itali të cilët janë të interesuar se kur mund të marrin pensionet se gjithçka ka përfunduar dhe tani mbeten vetëm procedurat administrative nga ana e shtetit italian.
Në një komunikim live në rrjetet sociale përmes rubrikës “Sy m’sy”, Rama iu përgjigj një komentuesi i cili e pyet se sa do të presë për të marrë pensionin në shtetin italian.
“Do presësh deri kur shteti italian të kryejë të gjitha proceset që ka për të kryer, por është mbyllur procesi të paktën në aspektin e legjislacionit. Ka kaluar dhe janë miratuar të gjitha”, sqaroi Rama.
Tani, sipas kryeministrit është zbatimi administrativ.
“Pra, është Italia, është qeveria italiane që e ka në dorë këtë punë, por ama nga ana jonë gjithçka ka mbaruar. Edhe nga ana e tyre, nga pikëpamja legjislative gjithçka ka mbaruar, pra nuk bëhet më fjalë ‘do bëhet, s’do bëhet’. Tani çështja është tek procedurat e shtetit italian”, sqaroi Rama.
Në 5 mars 2025, Senati italian miratoi në seancë plenare me 129 vota pro dhe asnjë kundër, marrëveshjen për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore me Shqipërinë.
Nga kjo marrëveshje përfitojnë rreth 550 mijë shtetas shqiptarë dhe rreth 4 mijë shtetas italianë, të cilëve i sigurohet bashkimi i periudhave kontributive, duke bërë të mundur që asnjë vit pune të mos humbasë.

