Kanadaja i kundërpërgjigjet SHBA-së me tarifa 25% për makinat amerikane

Kanadaja ka vendosur tarifa 25% për të gjitha automjetet e importuara nga Shtetet e Bashkuara që nuk përmbushin kushtet e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (CUSMA).

Kryeministri Mark Carney e shpalli këtë masë si një kundërpërgjigje të drejtpërdrejtë ndaj politikave tregtare të Uashingtonit, duke theksuar se vendimi i tij synon të mbrojë industrinë kanadeze të automobilave.

Sipas Carney, këto tarifa nuk do të zbatohen për pjesët e automjeteve dhe nuk do të ndikojnë në përmbajtjen e makinave nga Meksika, duke shmangur ndikimin në zinxhirin e furnizimit rajonal.

Megjithatë, pasojat e tarifave të SHBA-së tashmë kanë filluar të ndihen: uzina Stellantis në Windsor, Ontario, që punëson 3,600 punëtorë, ka njoftuar pezullimin e prodhimit për dy javë për shkak të efekteve të sanksioneve amerikane.

Tension tregtar në rritje
Ndërsa SHBA ka vendosur tarifa të përgjithësuara 25% për produktet kanadeze, përfshirë çelikun dhe aluminin – sektorë ku Kanadaja është një nga furnizuesit kryesorë të Amerikës – qeveria e Ottawës po përgatitet të kundërshtojë këto masa në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT).

Carney i cilësoi sanksionet amerikane si të paligjshme dhe premtoi një betejë të fortë ligjore për t'i shfuqizuar ato.

Kjo lëvizje shënon një përshkallëzim të tensioneve tregtare mes dy vendeve fqinje dhe mund të ndikojë ndjeshëm në sektorin e automobilave, duke rritur çmimet e makinave dhe duke vënë në rrezik mijëra vende pune në të dy anët e kufirit.