Kallas: BE duhet të diversifikojë industrinë e mbrojtjes pas tarifave të SHBA-së
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, bëri thirrje sot për më pak mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për prokurimin e mbrojtjes, pas njoftimit të tarifave ndëshkuese gjithëpërfshirëse nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Trump njoftoi dje në mbrëmje tarifa të përgjithshme prej të paktën 10% për të gjitha mallrat e importuara në SHBA dhe tarifa më të larta për disa vende. BE-ja përballet me tarifa prej 20% për mallrat e saj.
E pyetur përpara një takimi jozyrtar të ministrave të Mbrojtjes të BE-së sot në Varshavë – nëse një luftë tregtare me SHBA-në do të ndikonte në bashkëpunimin e mbrojtjes – Kallas u përgjigj se nuk kishte fitues në luftërat tregtare.
“Sigurisht që bashkëpunimi në sektorin e mbrojtjes që kemi me amerikanët është gjithashtu shumë i rëndësishëm”, tha ajo.
Kallas, gjithashtu tha se blloku duhej të mendonte se çfarë mund të bënte për industrinë e tij të mbrojtjes.
“Ne po blejmë shumë nga amerikanët tani, por duhet të diversifikojmë portofolin tonë në mënyrë që të kemi aftësi për të prodhuar këtu municionet dhe produktet që na duhen këtu”, tha Kallas.
Ajo shtoi se blerjet do të duhej të bëheshin edhe nga aleatë të tjerë për të siguruar një portofol të larmishëm.
