QATARGATE NË IZRAEL! Dy zyrtarët e Izraelit akuzohen për përfitime të paligjshme

Dy zyrtarë të lartë të qeverisë së izraelit janë arrestuar me akuzën e cënimit të sigurisë kombëtare. Prokuroria thotë se ata përfituan shuma parash në këmbim të një narrative pro katarit. Partia në pushtet i ka cilësuar veprimet si politike, ndërsa opozita ka ngritur dyshime të forta mbi Netanyahun

Policia izraelite arrestoi të hënën dy nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të kryeministrit Benjamin Netanyahu, Jonatan Urich dhe Eli Feldstein, të dyshuar për lidhje të paligjshme me qeverinë e Katarit.

Arrestimet përbëjnë zhvillimin më të fundit në hetimin e ashtuquajtur “Qatargate”, që po heton ndërhyrje të mundshme të huaja, shkelje të sigurisë kombëtare dhe sjellje të papërshtatshme politike.

Feldstein, ish-zëdhënës i Netanyahut, dyshohet se ka promovuar narrativa pro-Katar në media ndërkohë që merrte pagesa nga një firmë ndërkombëtare e kontraktuar nga Doha, duke qenë njëkohësisht i punësuar në Zyrën e Kryeministrit. Ai është gjithashtu i hetuar për rrjedhje dokumentesh të klasifikuara në lidhje me negociatat për pengjet me Hamasin.

Hetimi po udhëhiqet nga njësia elitë kundër korrupsionit Lahav 433 në bashkëpunim me shërbimin sekret të brendshëm Shin Bet. Akuza që po shqyrtohen përfshijnë ryshfet, shpërdorim besimi, pastrim parash, kontakt me agjent të huaj dhe shkelje të sigurisë kombëtare. Gjithçka po zhvillohet nën një urdhër gjykate për ndalim publikimi deri më 10 prill.

Netanyahu, edhe pse nuk është i dyshuar zyrtarisht, u thirr për të dhënë dëshmi si person me njohuri mbi rastin. Ai ndërpreu seancën e tij në procesin gjyqësor për korrupsion në Tel Aviv për t’u paraqitur në Jeruzalem.

Partia në pushtet, Likud, e cilësoi hetimin si politikisht të motivuar dhe akuzoi prokurorinë dhe Shin Bet për tentativë “grushti shteti”. Ndërkohë, opozita, përmes liderit Yair Lapid, ka ngritur pikëpyetje serioze mbi mungesën e mohimeve të qarta për marrjen e parave nga Katar nga zyra e Netanyahut.

Kjo çështje shton më tej presionin ndaj Netanyahut, i cili përveç “Qatargate”, vazhdon të përballet me disa akuza për korrupsion në raste të ndara.

Megjithëse Izraeli dhe Katari nuk kanë marrëdhënie zyrtare diplomatike, Doha luan rol kyç në ndërmjetësimin me Hamasin gjatë luftës në Gaza. Lidhje të mundshme financiare me zyrtarë izraelitë, në një kohë negociatash të ndjeshme, përbëjnë shqetësim të madh për sigurinë kombëtare izraelite.