Habeck: Tarifat amerikane të ngjashme me pushtimin rus të Ukrainës
Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck e krahasoi ndikimin e sulmit rus ndaj Ukrainës me atë të tarifave të SHBA-së në një konferencë për shtyp.
Për Habeck, këto janë ”rritjet më destabilizuese të tarifave të 90 viteve të fundit, ndaj të cilave është i nevojshëm një reagim i bashkuar dhe vendimtar, ashtu si në rastin e agresionit rus kundër Ukrainës”.
Habeck më pas theksoi se ”pretendimi i Donald Trump se Shtetet e Bashkuara po shfrytëzohen në marrëdhëniet e tyre tregtare nuk duhet besuar”.
“Kjo deklaratë është e rreme. Globalizimi do të thotë të ndash punën në mbarë botën dhe për këtë arsye të gjithë fitojnë. Dhe një nga fituesit më të mëdhenj të globalizimit janë Shtetet e Bashkuara, të cilat vitet e fundit kanë pasur ritme rritjeje dukshëm më të larta se Evropa”, shtoi ai.
“Siç kemi treguar në të kaluarën, ne duhet të përgjigjemi me qëndrimin e duhur, të përveshim mëngët dhe të gjejmë një rrugëdalje nga kjo situatë. Dhe kjo është ajo që pres nga qeveria e ardhshme. Tarifat e shpallura nga Trump po dëmtojnë ekonominë evropiane dhe amerikane dhe tregtinë ndërkombëtare. Për konsumatorët amerikanë, kjo ditë nuk do të jetë Dita e Çlirimit, por Dita e Inflacionit. Mania tarifore e SHBA mund të shkaktojë një spirale që mund t’i tërheqë vendet në recesion dhe të shkaktojë dëme masive në mbarë botën”, përfundoi ai
