Guardiola i jep të drejtë Mourinho-s: Tani e kuptoj çfarë donte të thoshte Jose
Në vitin 2018, José Mourinho deklaroi se një nga arritjet më të mëdha të karrierës së tij ishte ta çonte Manchester United-in në vendin e dytë në Premier League, pas kampionëve të Manchester City-t. Në atë kohë, këto fjalë nuk u pritën mirë, por tani Pep Guardiola e kupton domethënien e tyre.
Aktualisht në vendin e pestë në kampionatin anglez, spanjolli dhe lojtarët e tij tashmë kanë theksuar se objektivi kryesor është sigurimi i një vendi në UEFA Champions League për sezonin e ardhshëm – një arritje që ai e konsideron spektakolare, duke marrë parasysh vështirësitë e këtij sezoni.
"Të kualifikohemi në Champions League sezonin e ardhshëm do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm, vetëm fakti që jemi ende në garë, pavarësisht problemeve që kemi pasur.
Tani e kuptoj çfarë donte të thoshte José. Për klubin dhe për të ardhmen, duam të luajmë në Champions League," tha Guardiola para ndeshjes me Leicester, duke iu referuar komenteve të Mourinhos gati shtatë vite më parë.
"E kam thënë mijëra herë: njerëzit e marrin si të mirëqenë që City do të jetë në Champions League çdo sezon. Por unë e di sa e vështirë është.
Përndryshe, të gjitha ekipet e mëdha do të kualifikoheshin çdo vit, por nuk ndodh kështu. Ne jemi të vetmit që kemi qenë atje për kaq shumë vite.
I jap shumë rëndësi qëndrueshmërisë, sepse kjo ka qenë gjithmonë ajo që kam kërkuar si trajner," shtoi ai, duke kujtuar se ka pasur një skuadër në maksimumin e saj gjatë viteve kur ka fituar shumë trofe.
"Ky sezon ka qenë shumë i çuditshëm dhe shumë i vështirë. Para së gjithash, nuk kishim lojtarët e nevojshëm – kjo është arsyeja kryesore.
Pastaj ka shumë faktorë të tjerë, por mbi të gjitha ky. Nuk mund të konkurrosh në të gjitha garat nëse nuk ke lojtarët e duhur. Tripleta? Nuk mund ta fitonim atë pa të gjithë lojtarët, as dopietën nuk mund ta fitonim," përfundoi Guardiola.
