Pretendimi i Ancelottit në gjyq: Nuk mendoja se po bëja evazion fiskal, gjithçka dukej e rregullt

“Nuk kam menduar kurrë se po mashtroj me taksat. Nuk e kuptova se kishte diçka që nuk ishte në rregull”.

Kështu pretendoi trajneri i Realit të Madridit, Carlo Ancelotti, në gjyqin për mashtrim tatimor, duke iu përgjigjur gjyqtarëve të kryeqytetit spanjoll për evazionin e dyshuar të të ardhurave nga shitja e të drejtave të imazhit të tij te klubi merengues.

“Unë isha i interesuar të fitoja 6 milionë neto për tre vjet dhe kurrë nuk e kuptova se diçka nuk shkonte”, tha ai në lidhje me kontratat e tij me klubin madrilen në 2013-2015.

I akuzuar se kishte fshehur të ardhurat e të drejtave të tij të imazhit nga autoritetet tatimore spanjolle përmes kompanive me seli jashtë vendit (Prokuroria kërkoi katër vjet e nëntë muaj për trajnerin e Real Madridit, duke e akuzuar atë se kishte mashtruar autoritetet tatimore prej 1,062,079 euro në vitet fiskale 2014 dhe 2015), trajneri italian i klubit të Madridit deklaroi se kjo skemë i ishte propozuar nga klubi madrilen.

“Të gjithë lojtarët e bëjnë këtë, madje edhe Mourinho”, raportoi ai, duke iu referuar paraardhësit të tij si trajner i Real Madridit.

“Kam kontaktuar me konsulentin tim anglez dhe më pas nuk jam marrë me këtë çështje, sepse gjithçka dukej se ishte në rregull”, deklaroi Ancelotti.