SERGIO PEREZ KTHEHET NË PISTË! Ish-kampioni i Formula 1 në kërkim të një ekipi
Ish-piloti i Formula 1, Sergio Perez duket se do të rikthehet në pistë. Pas rezultateve të dobëta në sezonin e shkuar ai thotë se janë disa ekipe që e kanë kontaktuar për të arritur marrëveshjen
Pas një sezoni zhgënjyes me Red Bull, Sergio Perez ka konfirmuar se është në kontakt me disa skuadra për një rikthim të mundshëm në Formula 1 sezonin e ardhshëm. 35-vjeçari meksikan, i cili u largua nga Red Bull pas Çmimit të Madh të Abu Dhabit, vetëm gjashtë muaj pasi kishte rinovuar kontratën për dy vite, tha se do të rikthehet në pistë vetëm nëse projekti që i ofrohet është “me kuptim dhe argëtues”.
“Që nga Abu Dhabi më kanë kontaktuar disa skuadra. Tani që sezoni ka nisur, shumë gjëra mund të ndryshojnë në muajt në vijim,” – tha Perez për faqen zyrtare të Formula 1.
“Do të marr një vendim vetëm pasi t’i kem të qarta të gjitha opsionet. Por ajo që është shumë e qartë për mua: rikthehem vetëm nëse projekti më motivon dhe më bën ta shijoj garimin.”
Pas vitit 2023 ku u rendit i dyti në kampionatin e pilotëve pas Max Verstappen, Perez e përshkroi sezonin 2024 si “të tmerrshëm”, duke theksuar se nuk fitoi asnjë garë dhe u ngjit në podium vetëm katër herë – shifra më të ulëta që nga momenti i bashkimit me Red Bull në 2021.
Sipas tij, problemet e shumta lidhen edhe me vështirësitë që solli makina RB20, e cila nuk i përshtatej stilit të tij të pilotimit.
“Sidomos vitin e kaluar, nuk pata mundësinë të tregoj se çfarë jam në gjendje të bëj si pilot,” – tha Perez.
“Tani, papritur, të gjithë e kuptojnë sa e vështirë është kjo makinë për ta drejtuar.”
Red Bull, pas largimit të Perez, e zëvendësoi fillimisht me Liam Laëson, por pas vetëm dy garash, ai u zëvendësua me Yuki Tsunoda, pasi nuk arriti të përshtatet me RB21, versioni i ri i makinës për sezonin 2025.
Perez, i cili në të kaluarën ka pilotuar edhe për Sauber dhe McLaren, tani është në pritje të ofertës së duhur për të vendosur nëse do të vazhdojë aventurën në Formula 1 apo jo.

