Harry Kane mohon spekulimet: Këtu, niveli më i lartë i mundshëm

Sulmuesi i Bayern Munich, Harry Kane, ka mohuar zërat që e lidhin me një rikthim në Premier League që në verën e ardhshme.

Një nga arsyet kryesore të përfolura për një kthim të mundshëm do të ishte dëshira për të thyer rekordin legjendar të Alan Shearer për numrin më të madh të golave në Premier League, i cili qëndron në 260 gola, 47 më shumë se 213 golat aktualë të Kane.

Megjithatë, kapiteni i Anglisë është shprehur shumë i lumtur në Bavari dhe për momentin nuk ka asnjë synim për të ndryshuar klub, veçanërisht tani që është pranë fitimit të trofeut të parë të madh në karrierë.

Duke folur për ESPN, Kane sqaroi situatën e tij te Bayern:

"Nuk jam i sigurt. Gjatë gjithë karrierës sime, kam thënë gjithmonë se nuk jam një person që mendon shumë për të ardhmen. Jam jashtëzakonisht i lumtur këtu.

Kemi një skuadër fantastike, një staf teknik fantastik dhe ndiej se, për sa kohë jam në kulmin tim, dua të luaj në nivelin më të lartë.

Dhe ky është niveli më i lartë i mundshëm. E di që shumë gjëra mund të ndryshojnë në futboll për një kohë të shkurtër, por fokusi im është këtu.

Nuk mendoj për asnjë ligë tjetër apo klub tjetër. Në futboll më pëlqen të ndjek rrjedhën dhe për momentin rrjedha më ka sjellë këtu, te Bayern-i."

Dallimet mes Tottenham dhe Bayernit

Sulmuesi 31-vjeçar foli edhe për ndryshimet mes ish-klubit të tij, Tottenham, dhe Bayernit të Mynihut:

"Kur luan në ndeshjet më të mëdha çdo sezon, kjo të vendos në një nivel tjetër. Kemi pasur momente të tilla edhe te Tottenham-i.

Kemi pasur disa vite fantastike ku luftuam për trofe dhe arritëm në finalen e Ligës së Kampionëve. Por kjo nuk ndodhte çdo vit.

Nuk ishte e vazhdueshme. Ky është sezoni im i dytë te Bayerni dhe kemi mundësinë të arrijmë në gjysmëfinalet e UEFA Champions League për të dytin vit radhazi, duke qenë sërish në garë për titull.

Bayerni konsiderohet si një nga klubet më të mëdha në botë dhe është emocionuese të luash këtu."