Dita e Autizmit, Dyrmishi: Rastet fatkeqësisht kanë ardhur në rritje, por ka shtim të ndërgjegjësimit nga ana e prindërve

Sot është Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin. Që kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara caktoi 2 Prillin si Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin (WAAD) në 2007, OKB-ja ka punuar për të promovuar realizimin e plotë të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore për individët autikë, duke siguruar pjesëmarrjen e tyre të barabartë në shoqëri.

Por si është situata në Shqipëri?

Për këtë e ftuar në studion e lajmeve në “Ora Neës” ishte Eriselda Dyrmishi, Logopede.

“Rastet e fëmijëve me autizëm fatkeqësisht kanë ardhur në rritje nga viti në vit. Nga ana tjetër kemi një ndërgjegjësim të shtuar nga ana e prindërve për t’i ndjekur që në fazat e hershme të këtyre rasteve.

Ka prindër të cilët shfaqen të paduruar teksa kërkojnë rezultate tek fëmijët e tyre që në dyjavëshin e parë të nisjes së trajtimit.

I rikujtoj që fazat janë hap pas hapi duke nisur nga reagimi deri tek komunikimi. Që të kesh një fëmijë që vuajnë nga ky spektër do të thotë shpenzime shumë të mëdha financiare për prindërit në trajtimin mjekësor të tyre.

Shqetësuese mbetet diagnoza e shpejtë që vendosin mjekët dhe specialistët, pasi kjo është e gabuar. Një shembull konkret është rasti i një fëmije që është diagnostifikuar në 5 vende të ndryshme me 5 diagnoza të ndryshme”, u shpreh logopedia Eriselda Dyrmishi.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME LOGOPEDEN ERISELDA DYRMISHI