Shqiptarët të tretët për nga numri i shtetasve të kthyer nga një shtet i BE-së në vitin 2024
Shqiptarët renditen të tretët për nga numri i shtetasve të kthyer në vendin e origjinës nga një shtet i Bashkimit Europian gjatë tremujorit të fundit të vitit 2024, me 1 980 persona të riatdhesuar.
Megjithatë, sipas të dhënave të EUROSTAT, ky numër ka pësuar një rënie prej 0.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Gjeorgjianët dhe turqit kryesojnë në këtë listë
Në total, afro 125 mijë shtetas të huaj janë urdhëruar të largohen nga një vend i Bashkimit Europian në fundvitin 2024, ndërkohë që rreth 29 mijë prej tyre janë riatdhesuar realisht në vendet e origjinës.
Të dhënat tregojnë një rritje prej 24.3% të riatdhesimeve krahasuar me fundvitin 2023. Franca kryeson listën e vendeve me më shumë urdhra largimi, e ndjekur nga Spanja, Gjermania, Greqia dhe Italia.
Sipas origjinës, pjesa më e madhe e atyre që janë urdhëruar të largohen nga BE gjatë kësaj periudhe ishin algjerianë, të ndjekur nga sirianët dhe marokenët.
Ndërsa për sa i përket riatdhesimeve të realizuara, Gjermania, Franca dhe Suedia janë tre vendet që kanë kthyer më shumë persona drejt vendeve të treta.
Të dhënat e EUROSTAT nënvizojnë gjithashtu se ndërsa numri i riatdhesimeve është rritur për disa shtetësi si marokenët, turqit, moldavët dhe gjeorgjianët, për shqiptarët ka pasur një rënie të lehtë.
