Tabaku: BE s’të anëtarëson pa biznesin, duhet ri-konceptuar modeli ekonomik! S’ka më tendera kush shkon te dera e Ramës

Deputetja e PD, Jorida Tabaku u shpreh se rregullimi i TVSH do të kishte një rëndësi tejet të madhe për biznesin.

Duke folur në tryezën e prezantimit të programit ekonomik të PD me shoqatat e biznesit, Tabaku tha se nuk mundet që Shqipëria të shkojë në BE më 2027, siç po e trumbeton kryeministri Rama, pa qenë gati dhe biznesi.

Sipas Tabakut, biznesi duhet të jetë i përgatitur për standardet që ofron BE, ndaj këtë shtoi ligjvënësja demokrate po bën edhe PD përmes programit ekonomik: ‘Një plan për gatishmërinë e biznesit në BE’.

Referuar politikave që po ndjek SHBA me industrializimin atje, Tabaku tha se edhe plani i PD këtë ka për qëllim, ngritjen e prodhimit dhe ndryshimit të modelit ekonomik, në mënyrë që vendi të nisë të prodhojë.

Tabaku u ndaj edhe te ligji për investimet strategjike, për të cilën paralajmëroi një rishikim të tij, duke theksuar se nuk mund të marrë tendera vetëm ai që ka njohje me kryeministrin, porse nevojitet një garë e hapur dhe e ndershme për investitorët.

"Kishte 34 vite që s’ndodhte, rregullimi i TVSH do të ishte shumë i rëndësishëm për sektorin.  Së pari, ju e dëgjoni Ramën që thotë do shkojmë në BE më 2027, po si do shkojë biznesi në BE më 2027, sepse thotë do u jap pasaportën dhe biznesin e hedh në lumë?!

Ne kemi nisur një diskutim me biznesin për ta bërë gati biznesin për procesin e integrimit. Sot qeveria thotë se biznesi do shkojë me të mbathura në BE, pa investime, pa teknologji, pa standarde. Ndërkohë që ne, kemi gati planin për gatishmërinë e biznesit për në BE. Jo vetëm me investime, por edhe me politike pro biznesit.

Së dyti, në të gjithë botën, po ndodh një fazë e dytë e industrializimit. Po të shikoni Amerika, vendosjen e tarifave këtë ka. Edhe plani i PD me produktet ‘Made in Albania’ këtë ka, ngritjen e prodhimit dhe ndryshimit të modelit ekonomik që ne të nisim të prodhojmë.

Sot, shitja, tregtia dhe prodhimi janë duke shteruar, pasi janë me financime të paligjshme parash. Dhe ndryshimi i modelit ekonomik, duke marrë parasysh sektorë që prodhojnë dhe që e nxjerrin Shqipërinë në tregje ndërkombëtare, do të jetë prioritet.

Ri-konceptimi i ligjit të investimeve strategjike. Sot ligji i investimeve strategjike merr kush shkon te dera e kryeministrit. Ne do të ndalojmë çdo investim strategjik abuziv dhe do të lejojmë një garë të hapur për investimet strategjike, ku prioritet të jenë investitorët e ndershëm", theksoi Tabaku.