BE-ja refuzon kërkesat ruse për heqjen e sanksioneve, pas bisedimeve saudite

Bashkimi Evropian ka refuzuar thirrjet për lehtësimin e sanksioneve ndaj Rusisë, pas bisedimeve në Riad, të mbështetura nga SHBA, për luftën në Ukrainë, duke këmbëngulur se çdo hap i tillë do të konsiderohet vetëm nëse i shërben interesave të Kievit.

Zëdhënësja e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas tha sot se blloku mori parasysh propozimet e bëra në Riad këtë javë që synojnë sigurimin e lundrimit të sigurt në Detin e Zi dhe ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike në Ukrainë dhe Rusi.

Por, ajo tha se i takon Rusisë që të tregojë vullnetin aktual politik për t’i dhënë fund luftës së saj të paprovokuar kundër Ukrainës.

”BE-ja mbetet e gatshme të punojë me Ukrainën, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë në hapat e ardhshëm”, tha ajo.

Rusia pretendon se disa sanksione të BE-së duhet të hiqen për të finalizuar çdo marrëveshje për transportin tregtar në Detin e Zi.

Megjithatë, diplomatët e BE-së i thanë DPA-së se kërkesat nuk ishin të koordinuara me Uashingtonin dhe mund të synonin të minonin përpjekjet për armëpushim.

”Çdo lehtësim i sanksioneve do të konsiderohet vetëm nëse kontribuon drejtpërdrejt në një marrëveshje paqeje të pranueshme për Ukrainën”, shtuan burimet e BE-së.

SHBA e përshkruan marrëveshjen e propozuar të transportit si një rezultat pozitiv të bisedimeve saudite, të cilat përfshinin përfaqësues nga Rusia dhe Ukraina.

Megjithatë, Moska po kërkon akses të ripërtërirë në sistemin financiar ndërkombëtar SWIFT për Bankën Bujqësore Shtetërore të Rusisë – një lëvizje që vetëm BE-ja mund ta autorizojë, pasi sistemi është me seli në Belgjikë.

Rusia po kërkon gjithashtu heqjen e embargove ndaj makinerive bujqësore dhe mallrave të tjera kritike për prodhimin e ushqimit dhe plehrave, së bashku me kufizime më të gjera tregtare.

Brukseli konfirmoi se mbetet i angazhuar me SHBA-në për Ukrainën, duke përfshirë edhe G7, por nuk është i përfshirë në bisedime të drejtpërdrejta me Moskën.