Lavrov: Rusia dhe SHBA diskutojnë tubacionet e gazit në Baltik

Bisedimet midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara janë duke vazhduar për tubacionet e papërdorura ”Nord Stream” që lidhin Rusinë me Gjermaninë nën detin Baltik, tha sot ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Lavrov tha se do të ishte interesante të shihet “nëse amerikanët do të përdorin ndikimin e tyre në Evropë dhe do ta detyrojnë atë të ndalojë refuzimin e gazit rus”.

Lavrov nuk dha detaje mbi bisedimet.

Komentet e tij pasojnë raportet se vënia në punë e gazsjellësit më të ri, ”Nord Stream 2”, mund të jetë pjesë e një marrëveshjeje SHBA-Rusi për përfundimin e luftës në Ukrainë, ndoshta me përfshirjen e investitorëve amerikanë.

”Nord Stream 2”, i cili nuk hyri kurrë në punë, u ndalua nga qeveria gjermane pas pushtimit të plotë rus të Ukrainës në shkurt 2022.

Një shpërthim në shtator shkatërroi një nga dy tubacionet e përfunduara.

Shpërthime të tjera në të njëjtën kohë shkatërruan të dy tubacionet e ”Nord Stream 1”, i cili kishte hyrë në punë në vitin 2011.

Rusia ndaloi dërgimin e gazit përmes këtij tubacioni në fund të gushtit 2022.

Lavrov tha se gazi rus ishte refuzuar për arsye politike dhe se kjo kishte detyruar industrinë gjermane të paguante çmime më të larta të energjisë si rezultat.

Që kur dërgesat përmes tubacioneve u ndaluan, Gjermania ka importuar sasi të mëdha gazi natyror të lëngshëm nga SHBA dhe burime të tjera.