Van Gog apo imitim? Zbulimi i veprave të rreme po bëhet gjithnjë e më i vështirë
Stuart Pivar, një inxhinier kimik 94-vjeçar që jeton në Nju Jork, ka mbledhur vepra art dhe antika që nga fëmijëria.
Ai vlerëson se ka mbledhur rreth 300 vepra ndër vite, duke përfshirë një portret të tij të realizuar nga miku i tij Andi Uorhol dhe piktura nga Zhan-Mishel Baskiat, Xhekson Pollok dhe Edgar Degas.
Pivar është gjithashtu i bindur se zotëron një kryevepër të panjohur të Vinsent van Gogut, një peizazh i madh i titulluar "Auvers, 1890", i cili mban firmën "Vinsent" në pjesën e pasme.
Por një zë shumë më i rëndësishëm nuk pajtohet: Muzeu i Van Gogut në Amsterdam, gjykimet e të cilit kanë një peshë të jashtëzakonshme, pasi ai zotëron koleksionin më të madh të veprave të post-impresionistit të shekullit të 19-të.
Kuratorët dhe studiuesit e muzeut analizojnë çdo aspekt të jetës dhe veprës së artistit holandez.
Në vitin 2021, muzeu i dërgoi Pivarit një letër prej 15 faqesh duke i shpjeguar arsyet pse nuk e konsideronte pikturën që ai kishte blerë në një ankand për disa mijëra dollarë si një vepër të Van Gogut.
Pivar reagoi duke ngritur një padi në Gjykatën Federale të SHBA-së për 300 milionë dollarë.
Ai argumentoi në dokumentet gjyqësore se dështimi i muzeut për të njohur pikturën e tij ishte "neglizhencë" dhe kishte ulur vlerën e saj në pothuajse zero.
Kostoja e përballjes me padi gjyqësore dhe përgjigja ndaj një fluksi të madh kërkesash gjatë pandemisë së koronavirusit, kur qindra njerëz besonin se kishin zbuluar një Van Gog origjinal në një ankand, në një papafingo të pluhurosur apo nën shtratin e gjyshit, e ka bërë muzeun gjithnjë e më rezistent ndaj kërkesave për autentifikim.
Megjithatë, pa vulën e tij të miratimit, shtëpi ankandi të mëdha si Christie's ose Sotheby's kanë pak gjasa të shesin një vepër të atribuuar Van Gogut.
"Kjo fushë mund të jetë shumë e rrezikshme nga ana ligjore, dhe ne përpiqemi ta shmangim këtë sa më shumë që të jetë e mundur," tha Emilie Gordenker, drejtoreshë e Muzeut të Van Gogut.
"I bëjmë shpesh këto biseda: A duhet të vazhdojmë të luajmë këtë rol? Kjo na vë ndonjëherë në një situatë të vështirë, më lejoni të riformuloj, na vë në një pozitë delikate."
Të kesh një pikturë të Van Gogut të njohur si origjinale është bërë më e ndërlikuar se kurrë, një realitet i njohur për koleksionistët e artistëve të mëdhenj të shekullit të 20-të.
Më shumë se një dekadë më parë, fondacionet për Andi Uorhol dhe Keith Haring, si dhe pasuria e Zhan-Mishel Baskiatit, u tërhoqën nga biznesi i autentifikimit të veprave të tyre.
Ndonëse ndalimi i falsifikimeve është i rëndësishëm, procesi çoi në padi ligjore që rrezikonin punën më të gjerë të këtyre organizatave.
"Ata e njohin rrezikun e lartë të padive dhe përfitimin e ulët të shprehjes së një opinioni," tha Maxwell Anderson, ish-drejtor i Muzeut Whitney në Nju Jork, i cili tani punon për një kompani autentifikimi që përdor mjete shkencore, kuratoriale dhe studimore për të vlerësuar veprat e artit. "Në rastin e Van Gogut, rreziku është edhe më i madh."
Autentifikimi është jetik për ata që zbulojnë vepra arti potencialisht të vlefshme, për shembull, piktura e Van Gogut "Kopshti i qiparisave" u shit në vitin 2022 për rreth 117.2 milionë dollarë.
Por ai është po aq i rëndësishëm edhe për studiuesit që kërkojnë një regjistrim të saktë të të gjitha veprave të një artisti.
"Ka rëndësi edhe për të gjithë ata që janë të interesuar për artin dhe që hyjnë në një muze për të parë një etiketë në mur," tha Gary Schwartz, një historian arti që shkruan për Van Gogun, Rembrandtin dhe Vermirin.
"Është e rëndësishme për cilësinë e besimit që një muze përcjell, reflekton dhe premton."
Muzeu i Van Gogut, i themeluar nga nipi i artistit, ka organizuar ekspozita dhe ka kryer kërkime që nga hapja e tij në vitin 1973.
Ai nuk tarifon për shërbimet e tij të autentifikimit dhe për të refuzuar shpejt çdo vepër që e konsideron "qartësisht të largët nga puna e Van Gogut", shumica e kërkesave shqyrtohen vetëm në bazë të fotografive.
Në raste të rralla kur muzeu pranon të analizojë një vepër më në detaje, ai përdor si mjete shkencore, skanime, mostra boje, rreze X, ashtu edhe ekspertizën e njohësve të artit për ta krahasuar atë me veprat e tjera të Van Gogut, letrat e tij dhe historinë e tij personale.
Në vitin 2021, muzeu pranoi të shqyrtonte fotografitë e peizazhit të Pivarit pasi Michael P. Mezzatesta, një ish-kurator i artit europian në Muzeun e Artit Kimbell në Fort Worth, ia kishte atribuuar atë Van Gogut.
Por Muzeu i Van Gogut refuzoi ta inspektonte pikturën në studio, duke thënë se "është qartësisht e dukshme nga materialet e paraqitura tek ne" se nuk ishte autentike.
Megjithëse muzeu krenohet si një qendër ekspertize për Van Gogun, drejtoresha Gordenker theksoi se vendimet e tij nuk janë detyruese. "Ne ofrojmë vetëm një opinion, dhe ai mund të rishikohet," tha ajo.
Edhe për ekspertët, ndonjëherë është e vështirë të bëjnë një gjykim të padiskutueshëm mbi atë se kush e ka pikturuar një vepër dekada ose shekuj më parë.
Pas refuzimit fillestar të pikturës "Perëndim në Montmazhur" kur ajo u dërgua për vlerësim në vitin 1991, Muzeu i Van Gogut e pranoi atë si një "peizazh të sapozbuluar" në vitin 2013.
Në tetor, muzeu publikoi opinione në revistën e artit The Burlington Magazine mbi tri vepra të atribuuara Van Gogut, të cilat ai i konsideroi jo autentike.
Më parë kishte autentifikuar njërën prej tyre, "Koka e një gruaje," e cila u shit nga Christie's në vitin 2011 për pothuajse 1 milion dollarë.
Kur një version i dytë i kësaj vepre doli në dritë, ekspertët e muzeut arritën në përfundimin se "Koka e një gruaje" ishte "kryer nga një imitues."
Muzeu nuk është paditur për shkak të këtyre opinioneve, tha Gordenker, por është përballur me padi për vendime të mëparshme.
Një tregtar arti gjerman, Markus Roubrocks, ngriti një çështje në një gjykatë holandeze pasi muzeu vendosi në vitin 2001 të refuzonte "Natyrmort me bozhure", një pikturë që ishte konsideruar autentike nga 10 ekspertë, sipas dosjeve gjyqësore.
Pasi e ekzaminoi veprën, muzeu konstatoi se goditjet e penelit dhe paleta e ngjyrave nuk përputheshin me stilin e Van Gogut.
Padia e Roubrocks-it shkoi deri në Gjykatën e Lartë të Holandës, e cila mbështeti vendimin e një gjykate më të ulët se muzeu nuk kishte vepruar në mënyrë të pakujdesshme apo të paligjshme.
Ai ende e mban veprën në një kasafortë, duke besuar se një ekspert tjetër mund ta verifikojë në të ardhmen.
"Jam i sigurt se piktura ime është një Van Gog i vërtetë," shkroi ai në një email. "E gjithë piktura rrezaton Van Gog. Kushdo që e sheh, mendon vetëm për Van Gogun."
Katalogu raisonné i Van Gogut përmban rreth 2100 vepra arti, përfshirë afërsisht 870 piktura.
Disa historianë arti besojnë se mund të zbulohen edhe 300 të tjera, ndërsa të tjerë thonë se numri është shumë më i vogël, pasi vetëm një pikturë e re e Van Gogut duket se gjendet çdo dekadë.
Van Gog shiti vetëm disa piktura gjatë jetës së tij dhe vdiq në varfëri, por është e mundur që ai të ketë shkëmbyer disa, t'i ketë dhuruar ose t'i ketë lënë të papërfunduara në një studio.
Specialistët e Sotheby's dhe Christie's, tregtarët e artit dhe stafi i institucioneve jofitimprurëse thonë se nëse një koleksionist dëshiron të shesë një pikturë të Van Gogut, zakonisht i duhet miratimi i Muzeut të Van Gogut. Ndërsa mund të ketë edhe mendime të tjera me ndikim, asnjë prej tyre nuk ka më shumë autoritet.
Zyrtarë nga institucione të tjera holandeze të artit, përfshirë Muzeun Kröller-Müller në Otterlo, i cili ka koleksionin e dytë më të madh të Van Gogut në botë, i thanë The New York Times se ata i referohen Muzeut të Van Gogut për ekspertizë.
Ndërkohë, ekspertët e pavarur kanë mbetur jashtë loje. Ronald Pickvance dhe Bogomila Welsh-Ovcharov u përjashtuan nga bota e artit kur, në vitin 2016, i atribuonin një skicë Van Gogut, të cilën muzeu e shpalli imitim.
"Studiuesit në fushat e tyre duhet të ftohen për dialog bashkëpunues rreth atribuimeve, ashtu siç ndodhte dikur," tha Welsh-Ovcharov, një historiane arti në Universitetin e Torontos.
"Të paktën duhet të ketë një dialog të hapur. Nuk ka papë, nuk ka Vatikan të studimeve të Van Gogut."
Walter Feilchenfeldt, një tregtar dhe studiues në Zyrih që ka shkruar disa libra mbi Van Gogun dhe ndonjëherë nuk pajtohet me vendimet e muzeut, tha se nuk duhet të ketë "monopol mbi autenticitetin e Van Gogut."
"Nëse dikush nuk është i të njëjtit mendim, atëherë menjëherë konsiderohet i gabuar," tha ai.
Megjithatë, shumë në botën e artit e mbështesin rolin e Muzeut të Van Gogut. Mitzi Mina, një zëdhënëse e Sotheby's, tha se shtëpia e ankandeve zakonisht udhëhiqet nga vendimet e muzeut.
"Ata janë autoriteti kryesor botëror dhe liderë në industri për sa i përket sofistikimit dhe përpikërisë së kërkimit akademik dhe shkencor," shkroi ajo në një email.
Martin Bailey, autor i disa librave për Van Gogun, tha se muzeu ka një avantazh të madh sepse ka arkivat e familjes dhe specialistët më të mirë. "Dhe më e rëndësishmja," shtoi ai, "ata kanë restauratorë shumë të aftë, me pajisjet e duhura për të vlerësuar pikturat."
Në vitin 2021, muzeu u ndje i mbingarkuar nga rritja e kërkesave për autentifikim, të cilat u dyfishuan në më shumë se 500 nga rreth 250 në vit. "Thjesht nuk mund ta përballonim," tha Gordenkeri. Pas ndryshimit të politikës për të kufizuar shërbimet e autentifikimit vetëm për tregtarët e artit të akredituar dhe shtëpitë e ankandeve, muzeu tani shqyrton rreth 35 kërkesa në vit.
"Kjo nuk do të thotë se ngurrojmë në angazhimin tonë ndaj studimeve shkencore," tha Gordenker. "Ne jemi shumë të hapur dhe transparentë."
Një nga arsyet pse muzetë, fondacionet dhe trashëgimitë artistike po tërhiqen nga çështja e autentifikimit është sepse vendimet e tyre mund të jenë të kushtueshme.
Fondacioni Andi Uorhol për Artet Pamore në Nju Jork shpërndau bordin e tij të autentifikimit në vitin 2012 pasi u detyrua të mbrohej në disa procese gjyqësore të ngritura nga koleksionistët.
Momenti vendimtar ishte një padi për antitrust të ngritur nga regjisori Joe Simon, pasi fondacioni deklaroi se një prej serigrafive të tij të mesit të viteve 1960 ishte imitim.
"Nuk humbëm asnjë nga ato çështje," tha Joel Wachs, drejtori i fondacionit Uorhol. "Por gjithsesi po na kushtonin miliona dollarë, të cilat menduam se do të ishin më mirë të shpenzoheshin për misionin tonë kryesor: mbështetjen e artistëve."
Boshllëku i krijuar nga largimi i muzeve nga autentifikimi po mbushet nga kompani që mbështeten në teknologji të reja, duke përfshirë skanimin dixhital dhe inteligjencën artificiale.
Anderson, ish-drejtori i muzeut Whitney, iu bashkua një prej këtyre kompanive, LMI Group, pasi kishte punuar për 30 vjet në muzetë kryesorë.
Në vitin 2019, një koleksionist antikash bleu një pikturë për 50 dollarë në një shitje garazhi në Minesota dhe i dërgoi një foto Muzeut të Van Gogut, i cili e refuzoi veprën, imazhi i një peshkatari duke tymosur një llullë për arsye stilistike. Më pas, LMI Group e bleu pikturën për një shumë të papërfillshme, sipas Andersonit, dhe shpenzoi të paktën 1 milion dollarë për ta analizuar.
Në janar, LMI Group deklaroi se piktura, "Elimar", ishte krijuar nga Van Gog në vitin 1889, duke publikuar një raport prej 458 faqesh, ku përmendeshin elementë si tekstura e kanavacës dhe ADN-ja e një fije floku të gjetur mbi sipërfaqen e saj.
Në një deklaratë, Muzeu i Van Gogut tha se e kishte "shqyrtuar me kujdes informacionin e ri", por mbajti të pandryshuar qëndrimin e tij se vepra nuk është autentike.
Andersoni e cilësoi këtë refuzim të shpejtë si një shembull të një problemi më të gjerë me botën akademike të artit. "Vetëm duke shpuar velin e fshehtësisë së muzeut mund të ndriçohen aspektet komplekse dhe të panjohura të këtij artisti të jashtëzakonshëm," tha ai në një email.
Padia prej 300 milionë dollarësh e ngritur nga Pivar, koleksionisti nga Nju Jorku, u hodh poshtë përfundimisht për arsye juridiksioni.
Megjithëse tani ai pendohet që ngriti padi, ende ndihet i zhgënjyer që nuk ka asnjë mundësi tjetër për t'u drejtuar. "Të padisësh një muze është diçka vërtet e neveritshme," tha ai.
"E bëra sepse mendova se ajo që po bënin ishte në kundërshtim me parimet e shkencës dhe studimeve akademike."
Megjithatë, Pivar mbetet i vendosur të provojë se ekspertët e Muzeut të Van Gogut e kanë gabim.
Ai ftoi një firmë autentifikimi që bazohej në inteligjencën artificiale për të shqyrtuar koleksionin e tij, por në fund vendosi se ata ishin "mashtrues." Tani, ai mund të kërkojë mendimin e LMI Group për peizazhin "Auvers, 1890."
"Unë them që kjo është një nga kryeveprat unike të Van Gogut," tha Pivar.
