“Çfarë i thonë 1 mo”/ Nis verifikimi për certifikatat e noteres së Fierit, Anila Haxhiu

Disa herë emisioni “Stop” në Tv Klan ka denoncuar me prova e fakte shkeljet e noteres së Fierit Anila Haxhiu. Në mars 2023 u transmetua sesi bashkëshorti i noteres i premtoi një prindi t’i kalonte jashtë fëmijën pa prokurën e prindit tjetër duke paguar 550 euro.

Pas denoncimit, noterja arriti deri në pikën që dhunoi gazetaren dhe operatorin e emisionit “Stop”. Në prill 2023 emisioni tregoi vulën e falsifikuar të noteres për përkthim e rezultoi se vula i përkiste blegtorit Pelivan Metushi.

Për gjithë këto shkelje Ministria e Drejtësisë gjobiti me 5 milionë lekë noteren Anila Haxhiu. Asokohe, noterja Haxhiu, nuk ishte e certifikuar nga Ministria e Drejtësisë si përkthyese e këtyre gjuhëve të huaja. Disa muaj pas transmetimit, një email në redaksi sinjalizoi se në vitin 2024 Anila Haxhiu ka marrë nga Ministria e Drejtësisë dy certifikata si përkthyese zyrtare e italishtes dhe anglishtes, në konkursin e zhvilluar me shkrim dhe me gojë në Ministri.

Në përgjigjen zyrtare Ministria e konfirmon konkursin dhe kualifikimin e noteres Haxhiu në këto dy gjuhë të huaja. Dy agjentët të emisionit u paraqitën si shtetas italianë në zyrën e noteres Haxhiu, por kjo e fundit nuk dinte as komunikimin bazik në italisht. Ky moment hedh dyshime të forta mbi mënyrën sesi është certifikuar Anila Haxhiu në italisht dhe anglisht.

Pas transmetimit të fundit, Sektori i Monitorimit të Veprimtarisë Noteriale vlerëson se informacioni i paraqitur nga emisioni “Stop” në datën 3 mars 2025, paraqet indicie të mjaftueshme për nisjen e hetimit, nëse noterja gjendet në kushtet e papajtueshmërisë me ushtrimin e funksionit të saj. Në këto kushte, do të realizohet hetimi disiplinor dhe realizimi i verifikimeve sipas kuadrit ligjor në fuqi./Tvklan.al