Shkroi historinë me Kosovën, Vedat Muriqi merr në shtëpi topin që i shënoi 3 gola Islandës

Vedat Muriqi tashmë e ka në duar topin historik të tripletës kundër Islandës (3-1), një suvenir i veçantë që simbolizon suksesin e madh të Kosovës në Ligën e Kombeve. 

Pas ndeshjes, topi u nënshkrua nga të gjithë bashkëlojtarët, duke përjetësuar këtë moment historik që çoi Kosovën për herë të parë në Ligën B të Ligës së Kombeve. 

Ky top tashmë ka zënë vendin e tij në shtëpinë e Muriqit si kujtim i arritjes më të madhe të kombëtares deri tani.

Muriqi vazhdon të shkruajë historinë me Kosovën, duke konfirmuar statusin e tij si një ndër sulmuesit më të mëdhenj që ka pasur ndonjëherë kombëtarja. 

Me 31 gola në 60 ndeshje, ai është golashënuesi më i mirë në historinë e Kosovës.

Debutimin e ka bërë në vitin 2017 dhe që atëherë shënon rregullisht.

Rekordet flasin vetë

31 gola në 60 ndeshje – Golashënuesi absolut i Kosovës

Rekord personal – 4 gola kundër San Marinos në vitin 2021

8 gola vetëm në vitin 2021 – Viti më produktiv me fanellën e Kosovës

3 gola kundër Islandës – Tripleta që i dha Kosovës promovimin në Ligën B.

Ky sukses konfirmon Muriqin si shtylla kryesore e kombëtares. Me topin e tripletës tashmë në shtëpi, sulmuesi i Mallorcës është gati të synojë maja të reja me “Dardanët”.