Askush si ai/ Ronaldo tashmë një legjendë e certifikuar! Portugezi merr rekordin "Guinness" në fushën e lojës

Cristiano Ronaldo vazhdon të shkruajë historinë në futboll. Sulmuesi portugez u nderua me një “Rekord Guinness” përpara ndeshjes kundër Danimarkës, në çerekfinalet e “Nations League”.

Kapiteni i Portugalisë ka arritur një tjetër sukses prestigjioz, pasi është bërë futbollisti me më shumë fitore në historinë e kombëtareve. Ai e arriti këtë rekord vitin e kaluar, kur Portugalia mposhti Poloninë 5-1, në një ndeshje ku Ronaldo shënoi dy gola.

Me këtë sukses, CR7 ka regjistruar fitoren e tij të 132-të me kombëtaren, duke kaluar ish-shokun e tij të skuadrës te Real Madridi, Sergio Ramos, i cili e mbante rekordin në fjalë me 131 fitore me Spanjën.

Ky është një rekord që duket i vështirë për t’u thyer në të ardhmen e afërt, pasi shumica e lojtarëve që i janë afruar kësaj shifre tashmë janë tërhequr nga futbolli. Iker Casillas mban vendin e tretë me 121 fitore, i ndjekur nga Lionel Messi me 119 dhe Andrés Guardado që mbyll top 5-shen me 102 fitore me Meksikën.

Ky nuk është rekordi i parë “Guinness” për Ronaldon. Ai tashmë është i njohur si:

✅ Golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtareve, me më shumë se 120 gola.

✅ Lojtari i parë që ka shënuar 100 gola në Champions League.

✅ Sportisti me më shumë ndjekës në Instagram, mbi 500 milionë fansa.

Një tjetër arritje historike për një nga lojtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave në futboll.