Eliminimi nga Gjermania, Spaleti: Nga goli i dytë morëm një mësim
As ai vetë nuk e priste një ndeshje të tillë.
Italia me dy fytyra e parë në Dortmund i shtangu të gjithë, përfshirë edhe Luçiano Spaletin, që në konferencë për shtyp u mundua të analizonte atë çka u pa në barazimin 3-3 me Gjermaninë.
“Le të nisemi nga disa vlerësime të asaj që ndodhi.
Në pjesën e dytë u ndërgjegjësuam dhe treguam se çfarë mund të bëjmë.
Mbase mund të kishim bërë diçka më shumë e ndoshta më herët, por tashmë është e kotë të flasim me ‘sikur’.
Skuadra reagoi mirë dhe kjo është ajo që më duhet të veçoj nga kjo sfidë.
Episodet janë pjesë e këtij sporti dhe nuk mund të bëjmë më asgjë në këtë moment.
Ne pamë se ata po bënin goditje të shpejta nga këndi dhe duhet të kishim marrë masat e nevojshme.
Nëse nuk ia dolëm, atëherë është e drejtë të pësojmë një gol të atillë. Kjo nuk e ndryshon faktin që patjetër duhet të jemi më të kujdesshëm”, tha tekniku i Italisë.
