Tragjedi para stërvitjes në Brazil/ Një punëtor humb jetën, pasi u godit nga rryma elektrike

Një tragjedi ka tronditur përgatitjet e kombëtares braziliane për ndeshjen kundër Argjentinës, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026.

Pak para fillimit të seancës stërvitore të planifikuar në stadiumin Mané Garrincha në Brasilia, një punëtor, që kishte ngritur një skelë mbeti viktimë e një goditjeje elektrike vdekjeprurëse.

32-vjeçari është ndihmuar menjëherë nga stafi mjekësor i pranishëm, të cilët kanë tentuar për një kohë të gjatë për ta ringjallur me manovra kardiopulmonare. Fatkeqësisht, pas rreth një ore përpjekjesh, ai u deklarua i vdekur.

Urgjenca raportoi: "Ai pësoi një në arrest kardiak kur ekipet e shpëtimit mbërritën, përpjekjet për reanimim zgjatën rreth një orë, por rezultuan të pasuksesshme. Rrethanat e aksidentit janë ende duke u sqaruar".

Episodi tragjik preku në mënyrë të pashmangshme edhe kombëtaren braziliane të drejtuar nga Dorival Júnior, i cili po përgatitej të zhvillonte një nga seancat e fundit përpara se të nisej për në Buenos Aires.

Stërvitja u shty me më shumë se një orë, por skuadra vendosi të vazhdojë përgatitjet për shkak të sfidës shumë delikate ndaj Albicelestes më 26 mars.