Atraksionet më të vizituara! Muzeu Britanik në Londër tërhoqi më shumë vizitorë në 2024
Muzeu Britanik në Londër ishte atraksioni më i vizituar në Mbretërinë e Bashkuar për të dytin vit radhazi, me mbi 6.4 milionë vizitorë. Pavarësisht vështirësive ekonomike, atraksionet kulturore dhe historike në UK panë rritje të qëndrueshme të vizitave gjatë vitit 2024.
Muzeu Britanik në Londër ka qenë atraksioni më i vizituar në Mbretërinë e Bashkuar për vitin 2024, duke shënuar një rekord prej 6,479,952 vizitorësh, një rritje prej 11% krahasuar me vitin 2023.
Ky sukses i përsëritur për të dytin vit radhazi vjen në një kohë kur atraksionet më të njohura të vendit ishullor kanë njohur gjithashtu një rritje të vizitorëve.

Të dhënat zyrtare janë për 157.2 milionë vizita gjatë vitit të kaluar, një rritje prej 3.4% krahasuar me vitin 2023
Muzeu i Historisë Natyrore në Londër ishte destinacioni i dytë më popullor me 6,301,972 vizitorë, gjithashtu një rritje prej 11%.
Windsor Great Park, një nga atraksionet natyrore më të vizituara, mbajti vendin e tretë me 5,670,430 vizitorë, duke regjistruar një rritje prej 3%.
Në nivel kombëtar, Skocia dhe Irlanda e Veriut po ashtu panë rezultate pozitive. Muzeu Kombëtar i Skocisë në Edinburg regjistroi një rritje prej 6%, ndërsa Titanic Belfast ishte atraksioni më i vizituar në Irlandën e Veriut me një rritje prej 10%.
Gjithashtu, disa muze të tjerë shënuan rritje të dukshme si Galeria Kombëtare e Portreteve të Londrës, që regjistroi një rritje prej 36% pas një rinovimi tre-vjeçar, si dhe Young V&A, i cili u shpall Muzeu i Vitit 2024 pas një rritje prej 47% të vizitorëve.
Përkundër rritjes së vizitorëve, thuhet se ekonomia e pas-bllokimit të Covid dhe kriza e kostos së jetesës kanë pasur ndikim, duke lënë të kuptohet se rikuperimi i atraksioneve është ende i brishtë.
Megjithatë trendi i rritjes së vizitorëve tregon se pavarësisht vështirësive ekonomike dhe pasigurisë, atraksionet kulturore dhe historike të Mbretërisë së Bashkuar mbeten një destinacion i preferuar për shumë vizitorë.


