Sot, Dita e Poezisë! Dita kur është shtruar prehri i poezisë me ninulla, plot ledhatime nënash, e puthje zjarresh buzëve ku gëlon pranvera
Poezi...
Poezi, sot n'ditën tande hyjnue, kremte shpirti sjell stolisun n'ditën qi zemra t'bani altar, e dëshirimi t'kalli n'shkreptima yjesh.
Sot asht shtrue prehni jot me ninulla, plot, ledha nanash, e puthje ndezun buzëve ku bulon pranvera.
Tan'na, ndihena kaplue kopulimit tand, andjes së fjalës dehun krojeve e ndezun diejve që lindin në synin mbushun me qiell.
Vargjet e bekimit tand, lshue me turr përrenjve qi zbresin prej legjendave dhe kreshtave, n'krahë shqiponjash, e na mbushin me lumenj dhe etje.
E mbrujtëm botën me andrra, me andje e ndijim.
Ti poezi behe te çdo varg e strofë, tingull e gjëmim, tue m'lumtunu si me ma t'naltit vullnet qi shpërblen.
S'pati plagë e dhimbje qi nuk i'u ba za e melhem shpirti e fjalësh, poezia. Trishtoi te ç'do trazim e re, kjavi me çdo strehë, e kangës ia mori n'sqepin e çdo bylbyli.
U ndi lutje në çdo fjalë e psherëtimë, te çdo gjunjëzim, ish përulje e përkorë, hyjnisht e puthi ballin e çdo meditimi.
Jeton me përjetsinë e tan çasteve ku jepena e prehemi, tue na mëku me përkujdesje tamëltimin e polenit të krejt luleve që i bahen blatim shenjtnis së bukurisë së fjalës.
Nadjeve erdh me puthje, prej zenitit u ul me prehnin plot bekime, muzgjeve na dehi me adhurim, netëve na shkrepi yje te çdo dalldisje e shenjtnim kurmesh.
E ç'ka tjetër mujte me ken për dishrimin tem, poezi?!
Dita Ndërkombëtare e Poezisë

Sot është Dita Ndërkombëtare e Poezisë, e shpallur si e tillë prej Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën e Kulturën (UNESCO).
E praktikuar gjatë historisë, në çdo kulturë dhe në çdo kontinent, poezia flet për njerëzimin dhe vlerat tona të përbashkëta, duke e shndërruar dhe poezinë më të thjeshtë në një katalizator të fuqishëm për dialogun dhe paqen.
UNESCO e shpalli Ditën Ndërkombëtare të Poezisë në vitin 1999, me rastin e Konferencës së saj të Përgjithshme të 30-të të mbajtur në Paris për t’i “dhënë njohje dhe shtysë të re lëvizjeve kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare të poezisë”. Organizata shpresonte të frymëzonte kremtimin e poezisë në të gjithë botën, të ruante gjuhët e rrezikuara dhe të stimulonte shprehjen poetike gjatë kësaj dite.
Poezia përdor ritme dhe imazhe për të ngjallur emocione dhe imagjinatë tek lexuesit. Poezia mund të rimojë, por ka edhe poezi të shkruara në atë që quhet “varg i lirë”, e që nuk përdor rimë.
Poezia është një formë e bukur shprehjeje. Asnjë lloj tjetër letërsie nuk krijon një bollëk të tillë ndjenjash dhe emocionesh sa abstraksioni i poezisë. Poezia më e hershme besohet të jetë shfaqur me “Eposin e Gilgameshit” diku gjatë vitit 2000 para Krishtit, por ka të ngjarë që poezia ka ekzistuar edhe para përhapjes së shkrim-leximit.
Sot, gjenden lloje të panumërta poezish për t’u shijuar, duke përfshirë haikus, limericks, sonete dhe balada.


