Pse po ikin të diplomuarit? Vjerdha: Shteti nuk i ka argumentet që ta bindë sot një të ri të qëndrojë
Pse po ikin të diplomuarit? Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje i ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” ishte përfaqësuesi i lëvizjes “Qëndresa Qytetare”, Kolindo Vjerdha.
Vjerdha theksoi se një nga arsyet kryesore është çështja e pagave dhe kushteve të jetesës që ofron Shqipëria në krahasim me vendet e BE-së.
“Po flasim minimalisht për kryeqytetin. Me shpenzimet që përballesh që të duhet për të jetuar ata përballen me paga në kufijtë e pagave minimale.
Pra si mund ta nxisim këtë të ri që ka kryer studimet e tij mundohet të përshtatet me tregun e punës, i cili ofron paga minimale, për të mos thënë për disa studentë që detyrohen të punojnë në të zezë, ndaj ne shumë pak e studiojmë sot tregun e punës për të kuptuar edhe se si këta të rinj ia dalin të jetojnë me këto paga dhe shpenzime.
Ndaj unë them se tregu është ai i cili i frenon sot të rinjtë. Pagat janë një element shumë i rëndësishëm, pasi jemi shumë larg me nivelin e pagave që ofron BE-ja, apo disa vende të rajonit.
Pra nëse ti nuk i ke argumentet që ta bindësh sot një të ri të qëndrojë këtu dhe të mos largohet, apo edhe të kthehet këtu me këtë nivel pagash që kemi.
Dhe kur këta të rinj që janë sot këtu kanë mundësi karriere jashtë vendit si mund t’i themi qëndroni, ku paga nuk kemi, shëndetësi nuk kemi, kushte për të krijuar nesër familje dhe për të shkolluar fëmijët e tyre nuk kemi, ku siguria është e cenueshme; ku na mungon transporti në radhë të parë, po flas për autobusat.
Por edhe kostoja e jetesës dhe rritja në mënyrë kaq të skajshme të saj, minimalisht i duhen dy jetë që ata të rinj sot që duan të investojnë këtu të blejnë një shtëpi dhe të rrisin fëmijët e tyre këtu”, u shpreh Kolindo Vjerdha nga “Qëndresa Qytetare”.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME KOLINDO VJERDHËN


