MF: Të ardhurat arritën 117,3 miliardë lekë në shkurt, 12,5% më shumë se në shkurt 2024

Performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për muajin shkurt 2025 reflekton ecurinë pozitive të mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve.

Ministria e Financave bëri të ditur sot se, të ardhurat totale për muajin shkurt 2025 arritën në rreth 117,3 miliardë lekë dhe shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e dytë të vitit 2025, arritën në rreth 93,8 miliardë lekë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave: Të ardhurat totale, për muajin Shkurt 2025, arritën në rreth 117,3 miliardë lekë ose 102,4% e planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, u mblodhën rreth 13 miliardë lekë më shumë ose 12,5% më shumë.

Të ardhurat tatimore u realizuan në masën 44,1 miliardë lekë, 6,4 miliardë lekë ose 17% më shumë se shkurti i vitit të kaluar. Ndërsa plani është tejkaluar me 1,5 miliardë lekë.

Zëri që ka ndikuar më shumë në këtë performancë është TVSH e arkëtuar (neto), me realizim në masën 16,1 miliardë lekë, ose 17% më shumë se shkurti 2024.

Me rritje 11,6% kanë qenë edhe të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të cilat u realizuan në 30 miliardë lekë, 3,1 miliardë lekë më shumë se shkurti 2024.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 13,5 miliardë lekë, 3 miliardë lekë më shumë se shkurti 2024, si dhe 1,3 miliardë lekë më shumë se plani. Në këto dy zëra ka ndikuar reforma e rritjes së pagave në administratën publike. Ndërsa nga taksat nacionale, për periudhën shkurt 2025, u realizuan në masën 8,1 miliardë lekë.

Po ashtu perfomancë pozitive kanë pasur edhe të ardhurat doganore, të cilat u realizuan në vlerën 33,6 miliardë lekë, 1,7 miliardë lekë ose 5,3% më shumë se shkurti 2024.

Të ardhurat nga TVSH në import për muajin shkurt 2025 janë 22,5 miliardë lekë, ose 3,7% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Të ardhurat nga akciza regjistrohen 9,5 miliardë lekë, ose 10,7% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2024. Nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 406 milionë lekë dhe nga taksat doganore 1,2 miliardë lekë.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e dytë të vitit 2025, arritën në rreth 93,8 miliardë lekë me një realizim në masën 92,8 për qind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024 ky zë ka rezultuar 10,1 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet kapitale, për periudhën 2-mujore të vitit 2025, rezultuan në rreth 3,1 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 1,9 miliardë lekë më shumë ose rreth 150,6 për qind më i lartë.