Balluku: Abonentët familjarë po paguajnë faturat e energjisë së shkurtit 10.5% më lirë
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh sot, se abonentët familjarë po paguajnë faturat e energjisë elektrike për muajin shkurt me një çmim 10.5% më lirë.
Sipas Ballukut, ky është një vendim i shumëpritur nga të gjithë, ndërsa përfitues të saj janë rreth 95% të klientëve familjarë sot në Shqipëri.
“Puna jonë dhe performanca jonë matet me shumë elemente, dy nga më të rëndësishme janë niveli i arkëtimeve dhe niveli i uljes së humbjeve. Ajo çfarë u vendos ishte që të kishim dy kategori konsumi. Në faturën e energjisë elektrike do jetë vetëm një çmim. Nëse ju si abonentë konsumoni nën 700 kwh, atë të konsum ju do e keni të shumëzuar me 8.5 lekë, nëse do të keni të konsumuar mbi 700 kwh atë konsum do e keni të shumëzuar me 9.5 lekë. Rreth 95% e klientëve familjarë sot në Shqipëri konsumojnë nën kategorinë 700 kwh”, thotë një operator i energjisë elektrike në videon e publikuar nga ministrja Balluku.
Ndërkohë, disa pensionistë që kanë përfituar nga kjo ulje e çmimit të energjisë elektrike duke u shprehur falënderues për këtë vendim të qeverisë.
“Nuk diskutohet që jam përfitues, për sa kohë u ul çmimi. Është gjë shumë e mirë, të gjithë e duan uljen e çmimit. Edhe ata që kanë para, jo ne që kemi pensionet”, thanë disa prej tyre.
“Me sa po shoh në librezë, paskam një fitim mujor 8 mijë lekë, gjatë gjithë vitit më shkon 100 mijë lekë fitim dhe si pensionist për mua është gjë e madhe”, thotë një tjetër i moshuar në video.

