Ekstradim i bujshëm, Lulzim Berisha vjen nga Spanja.Pritet përballja në gjyq me Luftar Reçin

Pasditen e së martës, Interpol Madrid pritet të ekstradojë drejt Shqipërisë Lulzim Berishën.

Spanja ka vendosur të ekstradojë në Shqipëri, Lulzim Berishën, person ky që konsiderohet nga prokuroria si kreu i bandës së Durrësit.

Berisha, do mbërrijë në Tiranë në masa të rrepta sigurie, ndërsa pritet të përballet në një proces gjyqësor ku SPAK e akuzon për vrasjen e Klodian Saliut në muajin shkurt 2015 në Durrës.

Njëherësh, SPAK caktoi në dhjetor 2020 masë sigurimi arrest në burg për Berishën, si i dyshuar në vrasjen me tritol të Vajdin Lamaj dhe mikut të tij Artan Arsi.

Por këto akuza u rrëzuan nga vetë SPAK, duke e konsideruar se nuk kishte prova të mjaftueshme kundër Lulzim Berishës.

Me ekstradimin e tij në Shqipëri, Lulzim Berisha, do duhet të vuajë dhe një dënim me 6 vite burg, masë dënimi kjo që ka mbetur ende e papërfunduar nga dënimi me 25 vite burgim të dhënë disa vite më parë nga Gjykata e Lartë.

Kjo është përballja e dytë e Lulzim Berishës me Drejtësinë, pasi herën e parë ai u ndesh me dëshminë e bashkëpunëtorit të prokurorisë, Adriatik Coli.

Ndërsa herën e dytë ai duhet të përballet me dëshminë e Luftar Reçit, i cili tashmë është bërë bashkëpunëtor i prokurorisë SPAK.

Reçi, ka treguar se ai së bashku me Plaurent Dervishaj, Lulzim Berishën, Indrit Taullain dhe Indrit Rusin që njihet me nofkën "Çeçi", kanë vrarë Klodian Saliun.

Për këtë ngjarje u deportua një vit më parë dhe Plaurent Dervishaj nga Emiratet e Bashkuara Arabe.