Burgosja e Veliajt! Tabaku: Edhe nëse do ishte i lirë, duhet të ishte jashtë listës së PS

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka komentuar arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nga SPAK, duke theksuar se edhe nëse ai do të ishte i lirë, ai nuk duhet të kishte vend në listat zgjedhore të Partisë Socialiste.

Në një intervistë për emisionin “Log.” në News 24, Tabaku u shpreh se përfaqësimi i Veliajt, i cili lidhet me praktikën e blerjes së votave dhe skemën “5D”, është një shëmtim për PS-në.

Ajo theksoi se makineria elektorale në Bashkinë e Tiranës është ekspozuar dhe se ky degradim ka shokuar edhe vetë socialistët. Sipas Tabakut, vizita e kryeministrit Edi Rama në Bashkinë e Tiranës është një shenjë e qartë që tregon mungesën e ndarjes mes qeverisë dhe pushtetit lokal.

Jorida Tabaku: Edhe nëse Veliaj do ishte jashtë, PS do e largonte nga fushata. Përfaqëson shëmtinë, me 5D, me votat që kanë blerë, me çdo gjë që kanë bërë.

Makineria në Bashkinë e Tiranës është ekspozuar. Të jesh i sigurt që ky degradim ka shokuar edhe socialistët. Shkuarja e kryeministrit te Bashkia e Tiranës është e rëndë, tregon se nuk ka ndarje të qeverisë me pushtetin lokal.

Tabaku e cilësoi deputetin Erion Braçe si një “deputet 24 karat”, ndërsa shprehu shqetësimin se 80 përqind e listës së PS-së ishte e panjohur për të.

Ajo shtoi se lista e mbyllur në Tiranë ishte “e përmbysur”, pa prezencën e individëve me peshë dhe kontribute të dukshme. Tabaku e vlerësoi Partinë Socialiste si të degraduar gjatë kohëve të fundit.

Jorida Tabaku: Nuk njihja një pjesë të emrave në listën e PS-së. Erion Braçe prsh është një deputet 24 karat, që jeton me parlamentarizmin. Në tërësi, 80 përqind të listës së PS-së nuk e njihja.

Lista e mbyllur në Tiranë është e përmbysur. Nga pikëpamja e peshës dhe e kontributeve nuk pashë dikënd aty, siç kisha pakënaqësi unë. Për mua, PS ka kohë që ka degraduar.