Kontributi i shoqërisë civile në proceset institucionale, Gjipali: Duhet më shumë angazhim dhe bashkëpunim me institucionet

Në emisionin Alert, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, Drejtori i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, Gledis Gjipali, vuri në dukje rolin e rëndësishëm të shoqërisë civile në proceset institucionale dhe konsultative.

Ai theksoi se, ndonëse disa institucione janë aktive dhe të angazhuara në ndërtimin e një partneriteti me shoqërinë civile, të tjera ndjekin një qasje më formale, duke u mjaftuar me përmbushjen e minimumit të nevojshëm. Megjithatë, krijimi i një platforme konsultimi nga ekzekutivi tregon një vullnet të qartë për të dëgjuar zërin e grupeve të interesit, që përfshijnë jo vetëm organizatat e shoqërisë civile, por edhe bizneset, sindikatat, pushtetin vendor dhe akademinë.

Gjipali nënvizoi se, ndonëse ka tryeza të diskutimit që funksionojnë rregullisht dhe ku analizohen projektligje e strategji të rëndësishme, ka edhe raste ku procesi mbetet formal, pa një mekanizëm të qartë për ndjekjen e rekomandimeve. Ai vuri në dukje skepticizmin e grupeve të interesit ndaj angazhimeve të tilla, pasi shpesh kontributi i tyre nuk reflektohet në vendimmarrje ose nuk marrin asnjë përgjigje për propozimet e tyre.

Situata, sipas tij, ka njohur përmirësime, me institucione më të hapura dhe me krijimin e një platforme konsultimi online për çdo projektligj, e cila garanton që ligjet e propozuara nga ekzekutivi të jenë të hapura për komente për 30 ditë. Këto komente reflektohen më pas në një raport që shkon në Kuvend, ku analizohet kontributi i dhënë nga grupet e interesit.

Gjipali e lidhi këtë proces edhe me hapjen e kapitujve të negociatave për integrimin në BE, duke theksuar se disa fusha, si kapitujt 23 dhe 24 për drejtësinë dhe të drejtat themelore, janë shumë aktive, ndërsa të tjera presin presionin që do të vijë nga hapja e kapitujve për t’u përfshirë më shumë në konsultime.

Ai nënvizoi rëndësinë e angazhimit të grupeve të interesit që në fazën fillestare të hartimit të projektligjeve dhe akteve nënligjore, pasi kur një draft finalizohet, është shumë më e vështirë të bëhen ndryshime nga aktorët jo-shtetërorë.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ALERT” NË “ORA NEWS”