Ndeshja ndaj Comos/ Trajneri i Milanit, Conceição: Lojtarët janë të lumtur dhe me moral të lartë, objektiv tri pikët

Pas fitores me përmbysje ndaj Lecces, Milani do të përballet me Como-n në ‘San Siro’ para ndërprerjes për ndeshjet e kombëtareve. Një sfidë shumë e rrezikshme për skuadrën e Sergio Conceição-s.

Më poshtë konferenca për shtypin në prag të ndeshjes në Meazza.

“Është java e dytë që nuk kemi ndeshje në mesjavë dhe për ne ka qenë e rëndësishme të punojmë mbi aspekte taktike dhe fizike që kishim nevojë.

Reagimi i grupit ka qenë fantastik. Lojtarët janë të lumtur dhe me moral të lartë.

Po punojmë mbi gjëra që nuk kishim mundur t’i bënim të gjithë së bashku më parë dhe kjo është e rëndësishme.”

A është i arritshëm objektivi Champions League?

Ne luftojmë çdo ditë për t’u përmirësuar si skuadër. Rezultatet do të vijnë.

Ne mendojmë për të tashmen dhe nesër kemi një ndeshje të rëndësishme dhe të vështirë ndaj një skuadre të mirë si Como.

Nuk ka nevojë të mendojmë shumë përpara. Puna me këta djem është kënaqësi dhe po e bëjmë me intensitet të lartë.

Grupi është mirë dhe ka reaguar në mënyrë fantastike në këto dy javë, siç u pa edhe ndaj Lecce-s.

A mungon uria për fitore?

Po punojmë në të gjitha aspektet: fizik, taktik dhe emocional. Jam shumë i kënaqur me këtë javë. Kundër Lecce-s e nisëm mirë dhe duhej të shënonim, por pësuam gol menjëherë.

Në pjesën e dytë krijuam shumë raste dhe shënuam tri herë, por mund të kishim shënuar edhe më shumë. Në Itali asnjë ndeshje nuk është e lehtë, kampionati është shumë i balancuar dhe i vështirë.

Thashethemet për të ardhmen tuaj?

Është folur shumë, jo vetëm tani. Nuk mund të kontrolloj çfarë thonë dhe mendojnë të tjerët. Unë mund të kontrolloj vetëm lojtarët dhe përgatitjen e ndeshjeve.

Ndonjëherë mungon pak respekt, por unë jam mësuar me këtë.

Conceiçao kundër Fabregas?

Nëse motivimi do të ishte ky, atëherë do të më duhej të shkoja në spital. Duhet të fitojmë ndaj një skuadre cilësore me një trajner të aftë. Objektivi ynë janë tri pikët.

Duhet të analizojmë pikat e tyre të forta dhe dobësitë, por mbi të gjitha të fokusohemi te vetja dhe te fitorja.

Nuk është Conceiçao kundër Fabregas.

Koha e pamjaftueshme për të transmetuar idetë e lojës?

Kur erdha, e dija kalendarin dhe e dija që nuk ishte e lehtë të ndërhyja në gjysmë të sezonit me një skuadër të ndërtuar tashmë dhe me një filozofi loje të vendosur nga një trajner tjetër.

Leao?

Ai është një nga lojtarët më të mirë në kampionatin italian dhe ndoshta edhe në botë. Është i gatshëm, është mirë dhe unë jam gjithmonë shumë i drejtpërdrejtë. Kemi një raport fantastik dhe ai është gati për të ndihmuar skuadrën.

Vështirësitë në mbrojtje...

Kur kundërshtari shënon, gjithmonë ka një gabim, qoftë individual apo kolektiv. Kjo ndodh kudo. Duhet të punojmë mbi detajet.

Duhet të përmirësojmë mbrojtjen në fushë. Skuadra di të bëjë tranzicionet, por duhet të kuptojmë si t’i ndalim kundërsulmet e kundërshtarit.

Po punojmë çdo ditë për t’i përmirësuar këto situata, jo vetëm në avideonaliza, por edhe në fushë. Duhet kohë.