Takimi me djalin e Donald Trump në kulmin e protestave, presidenti i Serbisë: I tregova një pamje të Beogradit të bukur nga tarraca...
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka reaguar pas takimit që zhvilloi këtë të martë me djalin e presidentin Amerikan, Donald Trump Junior. Në një postim në rrjete sociale, Vuçiç shkruan se i tregoi Trump Junior, një pamje të Beogradit të bukur nga tarraca e Presidencës së Republikës së Serbisë.
Ai shton se ky do të jetë fillimi i marrëdhënieve edhe më të forta mes SHBA-së dhe Serbisë.
"I tregova Donald Trump Jr. një pamje të Beogradit tonë të bukur nga tarraca e Presidencës së Republikës së Serbisë. Jam i lumtur që mysafiri ynë i dashur mund të ndjehet pjesë e energjisë dhe të shoh kryeqytetin tonë që lidh të kaluarën dhe të ardhmen, traditën dhe inovacionin. Shpresoj se do ta shijoni çdo moment të kaluar në Serbi dhe besoj se ky do të jetë fillimi i marrëdhënieve edhe më të forta mes shteteve tona! Mirë se erdhe, miku im i dashur! Së bashku ndërtojmë lidhje më të forta dhe një të ardhme më të ndritur",- shkruan Vuçiç.
Ky takim është zhvilluar në një periudhë tensionuese në Serbi, nisur nga protestat masive që janë mbajtur kundër regjimit të Vuçiç. Sipas mediave të huaja takimi gjithashtu ka ngjallur interes të madh në rajon, dhe pritet që të sjellë zhvillime të reja në marrëdhëniet ndërkombëtare. Vizita vjen ndërsa Serbia përpiqet të balancojë kërkimin e mbështetjes nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera perëndimore për t'iu bashkuar BE-së me lidhjet e saj me Rusinë, aleatin e saj historik dhe Kinën, një investitor i madh në infrastrukturë, miniera dhe energji.
