Pse Portugalia përballet me zgjedhjet e saj të treta të parakohshme në tre vjet?
Portugalia është zhytur sërish në krizë politike, me qeverinë e kryeministrit Luís Montenegro që pritet të humbasë votën e besimit të martën.
Dy partitë kryesore opozitare, Partia Socialiste (PS) dhe partia e ekstremit të djathtë Chega, kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin kabinetin e tij, duke e çuar vendin drejt zgjedhjeve të treta të parakohshme që nga viti 2022.
Kryeministri, i cili drejton Aleancën Demokratike (AD), po përballet me një skandal mbi një konflikt të supozuar interesi që lidhet me kompaninë Spinumviva, e themeluar prej tij në vitin 2021.
Firma, e cila aktualisht është në pronësi të familjes së tij, ka marrë pagesa mujore nga një grup kazinosh që operojnë me koncesion qeveritar, duke ngritur dyshime për përfitime të padrejta.
Montenegro mohon akuzat dhe e thirri mocionin e besimit për të “i dhënë fund insinuatave dhe intrigave të përhershme”.
Por me PS dhe Chega të pozicionuara kundër tij, rrëzimi i qeverisë duket i pashmangshëm.
Presidenti Marcelo Rebelo de Sousa ka sinjalizuar se, nëse qeveria bie, zgjedhjet e parakohshme mund të mbahen më 11 maj.
Prokuroria e Përgjithshme ka konfirmuar ndërkohë se po shqyrton një ankesë anonime kundër kryeministrit, ndërsa PS kërkon një hetim parlamentar mbi akuzat.
Kriza politike shpërthen një vit pas zgjedhjeve të fundit, të cilat Montenegro i fitoi me një diferencë të ngushtë ndaj socialistëve, të cilët kanë vetëm dy vende më pak në parlament.
