Bien tregjet e aksioneve në SHBA

Tregjet e bursave në SHBA u hapën me rënie të ndjeshme  të hënën, pas rritjes së shqetësimeve tek investitorët për ndikimin negativ që tarifat e vendosura nga Presidenti Trump mund të kenë mbi ekonominë.

Teksa me humbje u hapën edhe tregjet aziatike, në Amerikë Tesla e Elon Musk pësoi edhe zhvlerësimin më të madh, me 15,4 %.

Kjo rënie erdhi pas një interviste të transmetuar të dielën të presidentit Trump, ku ai tha se ekonomia më e madhe e botës është në një "periudhë tranzicioni", kur u pyet për mundësinë e një recesioni.

"Nuk më pëlqen të parashikoj gjëra të tilla," tha ai, duke shtuar se "Ka një periudhë tranzicioni, sepse ajo që po bëjmë është shumë e madhe. Ne po e rikthejmë pasurinë në Amerikë. Kjo është një gjë e madhe."

Pas këtyre deklaratave të Trump, zëdhënësit dhe këshilltarët e tij kanë bërë thirrje për qetësim të tregjeve dhe investitorët, duke u përpjekur të hedhin poshtë idenë e një recesioni të afërt.

Nga ana tjetër analistët e tregut thonë se investitorët po shqetësohen për rrezikun e një krize ekonomike dhe për ndikimin e politikave të Trump, veçanërisht tarifat e tij.

Tim Waterer, analist në firmën KCM Trade, thotë se të flasësh për recession në këtë moment mund të jetë  e parakohshme, por ideja se kjo mund të ndodhë është e mjaftueshme për të vënë investitorët në një "mentalitet mbrojtës".

Sipas Charu Chanana, strateg investimesh në një bankë investimesh, imazhi i Trump si "presidenti i bursës" po vihet në pikëpyetje.

Ndërkohë në një deklarate të mëvonshme të zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë, Kush Desai thuhet se liderët e industrisë kanë reaguar pozitivisht ndaj axhendës ekonomike të Trump dhe kanë angazhuar triliona investime.

Ndërsa Kevin Hassett, këshilltar ekonomik i Trump, u shpreh  optimist për ekonominë amerikane dhe theksoi se tarifat po sjellin më shumë prodhim dhe vende pune brenda SHBA-ve.