Denaj: 250 milionë euro mbështetje për 5 sektorë bujqësorë e blegtoralë

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po vijon takimet informuese për programin e ri mbi financimin në bujqësi, ku përmes një instrumenti bankar me një linjë financimi prej 250 milionë euro, do të mbështeten investimet në serra, agropërpunim, peshkim, akuakulturë, agroturizëm, inovacion teknologjik në shërbim të zhvillimit rural.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj së bashku me ministren e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj dhe drejtoreshën e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, Ardita Kuçin u takuan me prodhues në vend.

“Këto dy instrumente do të lehtësojnë aksesin në financa në sektorin bujqësor me qëllim rritjen e investimeve në 5 sektorë prodhim bujqësorë e blegtoralë, duke mbështetur ndërtimin e më shumë sipërfaqeve me sera, stabilimente të prodhimit të mishit dhe infrastrukturë akuakulture, mekanizim e inovacion, agropërpunim dhe infrastrukturë agroturistike të certifikuara”, u shpreh Denaj.

Sipas saj, kredia e butë me një linjë financimi 250 milionë euro dhe me normë interesi 3.5%, e kombinuar me garancinë sovrane, e ul normën e interesit në 2% dhe mbulon kolateralin deri në 70%.