VIDEO/ Dosja "Veliaj", GJKKO rrëzon Valbona Xoxën për vilën në Qerret, e bija, Ajola Xoxa në Apel kërkon lirimin e llogarive bankare

Bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Ajola Xoxa është paraqitur mëngjesin e sotëm në SPAK.

Lajmi konfirmohet nga gazetari Edison Vatnikaj, i cili thekson se Xoxa ka një seancë në Apelin e GJKKO-së ku kërkon lirimin e llogarive të saj bankare.

Nga ana tjetër në kuadër të hetimeve Apeli i GJKKO-së ka rrëzuar ankimin e Valbona Xoxës, mamasë së Ajola Xoxës dhe vjehrrës së Erion Veliajt mbi sekuestrot e vendosura nga shkalla e Parë, për vilën në Qerret, si dhe pasuritë e tjera, burimi i të cilave vijon të jetë në hetim.

"Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 10.03.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 12, datë 27.02.2025 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankueses V.X., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 84, datë 10.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lidhur me caktimin e masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive, mbi pasurinë e paluajtshme”, dhe vendosi:

Miratimin e vendimit nr. 84, datë 10.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij", thuhet në vendim.

VENDIMI I GJKKO

Sipas vendimit të datës 12 shkurt, ku iu ndryshua masa nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje, Xoxa ka edhe detyrimin për t’u paraqitur të premten e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 11:00.

Fillimisht, Xoxës iu caktua masa “arrest në shtëpi”, por pas tre ditësh, GJKKO ia lehtësoi masën, për shkak të djalit të vogël, duke qenë se dhe Erion Veliaj ndodhet në burg.

Ajola Xoxa akuzohet nga SPAK për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Nga hetimi i SPAK ka rezultuar se Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa kanë krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash dhe kompanish të kontrolluara prej tyre apo të afërmve të tyre dhe kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në nëntë raste. Veliaj akuzohet se ka përfituar tre vila në një fshat turistik në Qerret ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 800 mijë euro në blerje online, të cilat nuk i ka deklaruar në deklaratat vjetore.

Biznesmenët Elman Abule, Gentian Sula, Shkëlqim Fusha, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi dhe Sokol Kryeziu në këmbim të tenderave nga Bashkia e Tiranës dhe lejeve të ndërtimit, i ofronin Erion Veliajt, shuma monetare nëpërmjet blerjeve fiktive, biletave avioni, sponsorizimeve, OJF-ve të Ajola Xoxës, si dhe pasurive të paluajtshme, si disa vila në Qerret.