Përse fëmijët kanë dhimbje koke? Ekspertët shpjegojnë shkaqet dhe kur duhet t’i drejtoheni mjekut

Dhimbja e kokës është një nga ankesat më të shpeshta te fëmijët gjatë kësaj periudhe të vitit. Sipas neuropediatres Aida Bushati, jo të gjitha rastet e dhimbjes së kokës lidhen me probleme serioze të brendshme të kokës, por është e rëndësishme që, nëse dhimbja zgjat për një periudhë të gjatë, të konsulohet mjeku.

Në këtë periudhë të vitit dhimbja e kokës është një nga ankesat më të shpeshta që vërehen në moshat pedriatrike, veçanërisht te fëmijët.

“Fëmijët duke qenë që janë në një process njohje dhe e kuptojnë trupin e tyre, përjetojnë ndjesi të ndryshme në kokë të cilat shpeshherë I artikulojnë si dhimbje koke por jo gjithmonë janë dhimbje të mirëfillta.”

Megjithatë, jo të gjitha rastet e dhimbjes së kokës janë të njëjta, dhe është e rëndësishme të kuptohet që dhimbja nuk ka gjithmonë të bëjë me një problem të brendshëm të kokës.

Aida Bushati neuropediatre thotë se nëse dhimbja e kokës vazhdon për një periudhë të gjatë, është e nevojshme që të drejtoheni te mjeku për një vlerësim të detajuar.

 “Dhimbjet e kokës në shumicën e rasteve në moshën pediatrike nuk janë problematike. Dhimbjet e kokës do të jenë problematike vetëm në ato raste që zgjasin në kohë, pra kanë një histori të gjatë dhimbje koke, të cilat me kalimin e ditëve apo javëve fillon dhe intensifikohet.”

Ajo shton se ekzaminimet imazherike, nuk janë të rekomanduara për fëmijët, përveç rasteve kur mjeku konsideron se është e nevojshme.

“Nuk është mirë që të bëhet në moshën fëmijënore sepse janë ekzaminime të cilat kanë rrezatim dhe ne duhet që të ruajmë fëmijët nga rrezatimi."

Një tjetër faktor që mund të kontribuojë në dhimbjet e kokës është përdorimi i tepërt i ekranëve të telefonave celularë dhe pajisjeve të tjera elektronike.

Ndaj këshillon prindërit që ti monitorojnë fëmijët që të mos kalojnë shumë kohë para ekranit.