Arti i humbur i mësimdhënies: Rivendosja e forcës transformuese të Arsimit
Në këtë Ditë të Mësuesit, ne bashkojmë vlerësimet tona vetjake, në nderim të mësuesve që përkushtuan jetën e tyre për të na udhëhequr drejt potencialeve tona.
I përkulem me nderim mësuesve të mi, sepse ata më ngritën lart, duke zbuluar thellësitë e fshehura brenda meje dhe duke më frymëzuar të ngjitem në lartësi që nuk i kisha imagjinuar kurrë.
Në një botë të karakterizuar nga thellimi i tensioneve politike dhe racore, ndarjes dhe dhunës, është e lehtë të ndihesh i zhgënjyer. Me shumëkënd që takoj, nuk mund të mos shkëmbejmë peshën e zhgënjimit, aq sa të bën të besosh se ndryshimi i vërtetë mund të mos vijë kurrë. Por, unë mbetem e bindur se arsimi ka forcën për të transformuar të ardhmen tonë, nëse e lejojmë atë të jetë më shumë se një transferim i thjeshtë i fakteve.
Një e vërtetë e thjeshtë me bëhet gjithnjë e më e qartë: mirësia mund dhe duhet të mësohet. Klasat duhet të jenë strehëza sigurie, mbështetjeje dhe lidhjesh kuptimplota njerëzore, vende të shenjtë ku mirësia, ndjeshmëria dhe mendimi kritik jo vetëm mësohen, por jetohen.
Një Sistem që Nuk Ushqen më Potencial
Mjerisht, sistemi që dikur nxiste dhe ushqente kureshtjen dhe rritjen personale, tani është bërë si një fabrikë, që prodhon individë të përgatitur për të ndjekur dhe jo për të menduar lirshëm.
E ardhmja e botës sonë varet nga potencialet e fëmijëve tanë. Si dhe sa do ju ushqejmë inteligjencën, emocionet dhe zhvillimin e tyre të përgjithshëm do të përcaktojë se çfarë do të krijojnë ata –një botë përparimi apo shkatërrimi?
Fatkeqësisht, sistemi i sotëm arsimor, i fiksuar në arritjet afatshkurtra i ka ngujuar të rinjtë në një cikël të interesit vetjak, duke iu kufizuar aftësitë për t'u lidhur thellë me veten dhe botën përreth tyre. Ai e mat suksesin jo nga pasuria e intelektit, emocioneve apo rritjes së tyre personale, por nga sa mirë ata përputhen me kërkesat e shoqërisë, duke dëshmuar vlerën e tyre përmes certifikatave, në vend që të përmbushin nevojat e tyre.
Për mua, si për shumë të tjerë, mësuesit ishin si prindërit e dytë, sepse ata dhuruan dashuri, njohuri, dhe orientime të vyera, duke formuar karakterin tonë. Sot, shumë prej këtyre mësuesve të talentuar janë të ngarkuar me formalizimin e kurrikulave të ngurta, testimeve të tepërt dhe kufizimet burokratike, që jua konsumonë aftësinë e tyre për të frymëzuar. Ne duhet të rivendosim dinjitetin e mësimdhënies dhe të sigurojmë që edukatorët të vlerësohen për ndikimin transformues që kanë në jetën tonë, jo thjesht për informacionin që japin.
Arsimi Duhet Mbajtur Larg Nga Ndikimi Politik
Një nga kërcënimet më të mëdha për integritetin e sistemit tonë arsimor, është ndërhyrja e agjendave politike. Kur shkollimi i shërben politikës dhe jo së vërtetës, ai pushon së qeni edukim. Kur politika dikton atë që mësohet, studentët nuk arsimohen më - ata thjesht ideologjizohen e programohen.
E ne nuk kemi nevojë për individë të kushtëzuar. Ne kemi nevojë për mendimtarë të lirë – studentë të pajisur me instrumenta intelektuale për të vënë në dyshim, analizuar dhe formuar një të ardhme më të mirë.
Një qeveri që mbron arsimin nga manipulimi politik, është e denjë për respekt. Pa këtë, injoranca, korrupsioni dhe prishja shoqërore do të vazhdojnë të lulëzojnë.
Nxitimi i Gabuar Drejt Dixhitalizimit
Kriza në arsim nuk është vetëm ideologjike, por edhe strukturore.
Shqetësues po bëhet edhe nxitimi për të dixhitalizuar mësimin.
Sado të konsiderueshme të jenë investimet në infrastrukturën dhe teknologjinë shkollore, shpenzime të tilla nuk janë treguesi për arritjet e vërteta.
Kriza është qartësisht e dukshme e asnjë fasadë moderne apo pajisje e avancuar nuk mund të maskojë faktin, se sistemi ynë arsimor ka humbur rrugën dhe kjo është plaga më e madhe.
Teknologjia mund të jetë një mjet i vlefshëm, por trumbetimi për tëzëvendësuar ndërveprimin njerëzor me rezatimin e ekraneve, që cënojnë dhe shëndetin, shkëput lidhjet e thella personale, që janë garancia e edukimit tëvërtetë.
Në arsim, sikundër në jetë, sfida është pjesë e procesit. Mësimi i vërtetë mundësohet jo nga lehtësitë, por me angazhimin tërësor të instrumentave natyrorë- përmes kënaqësisë prekëse të leximit të një libri, procesit të qëllimshëm të të shkruarit me dorë dhe shkëmbimit të gjallë të ideve në ndërveprimet ballë për ballë. Këto metoda tradicionale stimulojnë mendjet tona në mënyra, që faqet dixhitale thjesht nuk munden. Pa këto përvoja, ne rrezikojmë të ushqejmë breza që janë të aftë teknologjikisht, por intelektualisht të cekët dhe shpirtërisht të ftohtë.
Për më tepër, përqafimi jokritik i EdTech, nuk nxitet nga dëshira për tëpërmirësuar arsimin- por nga motive fitimi. Ndërsa vende si Suedia kanë filluar të rikalibrojnë qasjen e tyre, drejtues të lartë në arsimin shqiptar, me një eufori të pajustifikuar, vazhdojnë të mbrojnë këto iniciativa dixhitale – duke përhapur e zbatuar tendenca, që kombet e tjera po i rimendojnë me mençuri e duke iu kthyer traditës.
Dikush duhet të pyesë: A janë vërtet të informuar këta promovues, apo entuziazmi i tyre i shtirur, thjesht zbulon mangësitë e tyre njerëzore dhe adhuriminqesharak ndaj diktateve partiake?
Çfarë Prodhon një Sistem i Prishur?
Rënia e arsimit nuk është thjesht një dështim akademik – është një katastrofë shoqërore.
Nëse nuk e rifitojmë arsimin si mjeti për rritjen intelektuale dhe personale, rrezikojmë të dënojmë brezat e ardhshëm me një jetë me njohuri të cekëta dhe potenciale të humbur.
Kur nxënësit largohen nga shkolla pa aftësi të të menduarit kritik, do të lulëzojë padrejtësia.
Kur atyre u mungon aftësia për të vënë në dyshim autoritetin, demokracia dobësohet.
Kur ata trajnohen vetëm për produktivitet ekonomik, ata bëhen dhëmbëza ‘të makinerisë shoqërore’dhe jo arkitektë të së ardhmes.
Arsimi nuk ishte menduar kurrë të ishte një treg, megjithatë sot, dija është reduktuar në një mall –e zhveshur nga thellësia dhe kuptimi i saj. Artificializimi i të mësuarit e ka kthyer kërkimin e dijes në një detyrë mekanike, boshllëk eksplorimi, apo zbulimi të vërtetë.
Ne duhet t'i rezistojmë këtij degradimi dhe të rivendosim arsimin në piedestalin e misionit, si mjet për iluminim e jo thjesht njëpunishte kredencialesh.
Rikthimi i Dinjitetit të Mësimdhënies
Kriza në arsim sot nuk ka të bëjë vetëm me atë që mësohet, por si mësohet.
Mësimdhënia nuk është një transaksion njohurish - është një marrëdhënie, një lidhje e shenjtë që formon mendjet e të rinjve e duke i frymëzuar ata të mendojnë, të pyesin dhe të rriten.
Për të rifituar arsimin, ne duhet ta lartësojmë mësuesin përsëri në vendin e duhur, në qendër të procesit mësimor, si forca drejtuese e transformimit.
Mësuesit, prindërit, dhe nxënësit duhet të bashkohen për të kërkuar një kthim në arsim ku fëmijët nuk marrin vetëm informacion, por frymëzohen për të jetuar jetë të përmbushur dhe të ekuilibruar.
Gjithë sa po shpreh, nuk është një kritikë që synon të zvogëlojë përpjekjet e mësuesve tanë, shumë prej të cilëve janë vetë viktima të një sistemi që ka humbur nga sytë misionin e tij të vërtetë. Përkundrazi, është një thirrje e përzemërt nga dikush, që e ka dashur prej kohësh bukurinë e të mësuarit të vërtetë – një mësim që ndërton karakterin, ndez kreativitetin dhe frymëzon për të qenë qytetarë më të mirë.
Le të nderojmë ata arsimtarë, që pavarësisht pengesave vazhdojnë t'i ndriçojnë rrugën brezit të ardhshëm. Dhe le të punojmë së bashku për të ndërtuar një të ardhme ku arsimi nuk matet me rezultatet e testeve apo diplomat, por nga jetët që prek dhe mendjet që zgjon.
Arsimi nuk është thjesht një privilegj; është përgjegjësia jonë kolektive.
Le të mos e harrojmë kurrë forcën e lidhjes njerëzore në të mësuar dhe të përpiqemi gjithmonë të kultivojmë potencialin e pakufishëm të fëmijëve tanë e të mos dështojmë në përmbushjen e e këtij misioni fisnik.
/ PROF. MIMOZA MANXHARI - FAKULTETI EKONOMIK, UNIVERSITETI I TIRANËS




