7 Marsi, Balluku: Roli i mësuesit, i pazëvendësueshëm në formimin e brezave dhe të ardhmes së vendit
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Ballluku uroi sot mësuesit në ditën e tyre të 7 Marsit.
Në një postim në rrjetet sociale Balluku zgjodhi si urim një pikturë historike, e cila pasqyron ditën e parë të hapjes së shkollës në Myzeqe, duke faktuar sakrificën e shqiptarëve për arsimim, i cili ka qenë dhe mbetet drita që ndriçon rrugën e një kombi.
“Nga ato klasa të para, ku mësuesit hodhën farat e dijes, e deri sot, roli i tyre ka mbetur i pazëvendësueshëm në formimin e brezave dhe të ardhmes së vendit. Mirënjohje të thellë për çdo mësues, mirënjohje për misionin e tyre sublim, përkushtimin dhe sakrificën e përditshme”, shkruan Balluku.
Në shenjë nderimi, respekti dhe kujtimi për kontributin e Mësonjëtores së Korçës dhe mësuesve të saj, 7 Marsi është caktuar si “Ditë e Mësuesit” dhe e shkollës shqipe. Ndërtesa ku u hap kjo shkollë 138 vite më parë, sot është Muzeu Kombëtar i Arsimit.

