EMRAT/ Kanosje dhe grabitje, dy të arrestuar në Durrës

Dy persona janë arrestuar nga policia në Durrës pasi akuzohen për kanosje dhe grabitje me dhunë.

Në pranga ka rënë Spiro Dede 44-vjeç, pasi ka kanosur me mjet prerës (thikë), punonjësin e një dyqani, dhe ka marrë aty, pajisje elektronike, si dhe Edison Sqarthi 35-vjeç i akuzuar për grabitje. Policia sqaron se Sqarthi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, po për vjedhje dhe dilte për të kryer vjedhje përsëri.

“Shërbimet e Policisë, menjëherë pas njoftimit të marrë për një vjedhje me dhunë, në një dyqan pajisjesh elektronike, në lagjen nr. 4, Durrës, organizuan punën për kapjen e autorit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, të kryera nga Komisariati i Policisë Durrës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Durrës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fast”, u mundësua pak orë pas kryerjes së vjedhjes, lokalizimi, kapja dhe vënia në pranga e autorit të dyshuar të rastit, shtetasit S. D., 44 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas ka kanosur me mjet prerës (thikë), punonjësin e dyqanit, dhe ka marrë aty, pajisje elektronike.

Po gjatë operacionit “Fast’, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, Policia ka kapur dhe vënë në pranga dhe autorin e dyshuar të 2 vjedhjeve të ndodhura në një market në lagjen nr. 10 dhe në një automjet në lagjen nr. 12.

Në vijim të veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Sh., 35 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, po për vjedhje dhe dilte për të kryer vjedhje përsëri.”- njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.