EMRI/ "Ora News" denoncoi sherrin në shkollën "Sevasti Qirjazi", arrestohet 19-vjeçari që kanosi drejtoreshën, policia zbardh ngjarjen

Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e lajmeve në “Ora News” ku njofton se një sherr mes adoleshentësh ka degraduar në përdorimin e armëve të ftohta te shkolla “Sevasti Qirjazi” në kryeqytet, sherr që do të transferohej edhe në Këshillin Pedagogjik ku mësohet se është kërcënuar edhe stafi i mësuesve të shkollës në fjalë.

Pas publikimi te denoncimit, policia e Tiranës doli me njoftim zyrtar ku ben me dije se ka arrestuar 19-vjeçarin, Klevis Rajta, i cili ka kanosur drejtoreshën e shkollës pasi ajo i konfiskoi telefonin që përdorte gjatë orës së mësimit. 19-vjeçari gjithashtu ka kundërshtuar me dhunë punonjësin e Policisë, gjatë veprimeve për shoqërimin e tij në Komisariat.

Gjithashtu gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një mjet prerës. Ndërkohë materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i Policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin Klevis Rajta, 19 vjeç, sepse ka kanosur drejtoreshën e shkollës ku ishte nxënës, për shkak se i ka marrë celularin që përdorte gjatë mësimit. Ai gjithashtu ka kundërshtuar me dhunë punonjësin e Policisë, gjatë veprimeve për shoqërimin e tij në Komisariat. Gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një mjet prerës.

Denoncimi: 

“Te shkolla “Sevasti Qirjazi” ka ndodhur një sherr me armë të ftohta.

Është kërcënuar stafi pedagogjik, edhe është shoqëruar në komisariatin nr. 4 autori i dyshuar i ngjarjes.

Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 13:30 dhe nuk është raportuar as nga Policia e Shtetit.  Ka hyrë me thikë dhe ka rrahur zyshat, por është liruar pasi autori adoleshent është djali i një polici OPGJ”, raportojnë burimet.