Kumbaro: Rezervime të mbyllura për vitin 2025, rritje me 14-20% e turistëve në dy muajt e parë të vitit

Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh sot gjatë një interviste për Radio Televizionin Shqiptar nga Panairi Ndërkombëtar i Turizmit në Berlin, se prezantimi i Shqipërisë ditën e djeshme në sytë e gjithë botës, e operatorëve turistikë dhe sipërmarrësve të ndryshëm, kishte një emërues të përbashkët: fjalën dinjitet.

“Ajo që i bashkoi të gjithë në emocionin e tyre, shqiptarë dhe të huaj, por sidomos gjithë publiku shqiptar dhe gjithë operatorët, mbi 100 operatorë privat që kanë marrë pjesë në këtë panair dhe shumë agjenci shtetërore ishte fjala: dinjitet.

Ka ardhur koha që e gjithë puna prej dekadash e sektorit të turizmit dhe në një sinergji me pushtetin vendor dhe qendror, sot ju shfaq botës me kartën e dinjitetit, profesionalizmit të diversifikuar nga festivali kulinar që përmbylli mbrëmjen dje, Teatrit i Operës dhe Baletit, tradita shqiptare dhe sidomos gjithë prezantimi i imazheve të Shqipërisë nga Shkodra deri në Korçë, nga Tropoja në Konispol, nga Vlora në Gjirokastër ku praktikisht disa mijëra njerëz që vijnë nga bota e biznesit dhe turizmit që asistuan në ceremoninë e hapjes dolën me një premtim: duhet me patjetër të kthehemi në Shqipëri, ose duhet të rikthehemi se nuk paskemi parë gjë akoma”, thotë Kumbaro.

Sa i përket parashikimeve për numrin e turistëve që pritet të vizitojnë Shqipërinë gjatë 2025, ministrja Kumbaro theksoi duke ju referuar shifrave të dy muajve të parë të vitit se ka një rritje me 14-20% për janarin dhe shkurtin krahasuar me vitin e kaluar.

“Nuk dua të bëj prognoza, se si duhet të jetë këtë vit. Për 2024 u mbyll me 11.7 milionë turistë të huaj gati 12 milionë turistë të huaj. Janë shifra premtuese.

Operatorët privatë flasin për rezervime të mbyllura për gjithë vitin 2025, tur operatorët ankohen që ka më shumë kërkesa seç ka kapacitet shtretërish, çka na çon te nevoja për të ecur përpara me ndërtimin e strukturave akomoduese të të gjitha niveleve, nga agroturizëm e bujtina tek hotelet dhe resortet.

Shqipërisë i duhen hotele të nivelit të lartë 4 dhe 5 yje, ne mendojmë që na duhet turizëm i qëndrueshëm, pra turistë që paguajnë më shumë, rrinë më gjatë dhe ata kërkojnë standard”, tha kumbaro.

Ajo shton se standardet janë turizmi elitar. “Për turizmin e masës Shqipëria nuk ka nevojë, nuk e përballon dot, për turizmin mesatar që na duhet mendoj që i kemi strukturat mjaftueshëm.

Kjo është një ambicie shumë e madhe, ndaj e kemi vënë objektivin te Shqipëria 2030 ku gjithë projektet që kanë nisur me arkitektët më të famshëm botërore dhe shqiptarë do të bëhen realitet në pesë vitet që vijnë”, shtoi Kumbaro.

Sipas ministres së Turizmit dhe Mjedisit, turizmi në Shqipëri nuk është më thjesht e vetëm ekonomi, por një industri që mbete prioritet i Qeverisë Shqiptare.

“Në mandatin e tretë në fillim të vitit 2021, ne deklaruam që turizmi ishte prioriteti absolut. Ishte ekonomi, është thyer në industri dhe si e tillë do kohën e vetë që të konsolidohet.

Objektivin e kemi vënë që në 2021 , Shqipëria 2030 si një vizon padiskutim edhe me degët e tjera të ekonomisë që konvergojnë drejt këtij realiteti.

Bujqësia është në funksion të turizmit, me agroturizëm dhe produktet bio, infrastruktura, etj”.